Kërcënimet terroriste ndaj Shqipërisë me natyrë gjeo-politike e fetare
Eksperti për ꞔështje të Sigurisë Kombëtare, Redion Qiriazi, në një intervistë ekskluzive për DW: Aktet terroriste në Shqipëri kanë mbetur në tentativë në sajë të shkëmbimit të informacionit me partnerët ndërkombëtarë.
Deutsche Welle: Departamenti Amerikan i Shtetit, (DASH) publikoi ditët e fundit, raportin 2019 per terrorizmin në botë. Në këtë raport Shqipëria klasifikohet si një vend që vitin e kaluar “vazhdoi mbështetjen e fortë kundër terrorizmit”. Si e ka merituar Shqipëria këtë klasifikim?
Redion Qiriazi: Shqipëria ka qenë vazhdimisht mbështetese e koalicioneve ndërkombëtare kundër terrorizmit apo ꞔdo ndërhyrjejeje të NATOs, sidomos në ato të ndërmarra me nismën e SHBA. Kjo mbështetje ka qenë dhe mbetet e qëndrueshme dhe ka vijuar pothuajse pa ndërprerje, pothuajse në të gjitha vitet e sistemit demokratik, pra edhe përpara anëtarësimit në NATO, në prill 2009. Vlen të përmend pjesemarrjen e Shqipërisë në Operacione në Irak dhe Afganistan, që në fillim të viteve 2000. Shqiperia ka qenë mbështetëse e nismës së Presidentit Bush për pjesëmarrje në koalicionin global kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe është anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS. Për më tepër Shqipëria ka një bashkëpunim të fuqishëm me partnerët e NATOs dhe aleatë të tjerë në shkëmbimin e informacionit për parandalimin e rasteve të terrorizmit të brendshem, që konstatohet edhe në raportin e fundit të DASH, që ju përmendni.
Çfarë programesh ka qeveria e Shqipërisë për të luftuar terrorizmin dhe ekstremizmin e dhunshëm?
Redion Qiriazi: Ka një sërë masash dhe programesh në funksion të parandalimit dhe luftës kundër tyre. Së pari Shqipëria ka një kuadër të plotë ligjor që synon të parandalojë dhe ndjekë penalisht rastet e financimit, mbeshtetjes apo pjesëmarrjes në akte terroriste brenda territorit të saj. Mund të përmend ligjin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, amendimin e kodit penal ne vitin 2015 për të penalizuar veprat që lidhen kryesisht me fenomenin e rekrutimit dhe pjesëmarrjes në luftëra të huaja, (luftëtarët e huaj) apo edhe strategjitë e posaꞔme për të parandaluar përhapjen e ekstremizmit të dhunshëm në Shqipëri. Këto ligje jane amenduar në perputhje me ecurinë e kërcënimeve terroriste, sidomos pas anëtaresimit në NATO.
Së dyti, Shqipëria ka ndërtuar struktura të posaꞔme dhe të përshtatshme për të reaguar ndaj rasteve të terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm si Drejtoria Anti-Terror në Policinë e Shtetit, njësitë homologe në Shërbimin Informativ Shtetëror dhe Agjencinë e Inteligjencës dhe Mbrojtjes, Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave, e cila ofron ndihmesën e saj, edhe pse nuk është e lidhur direkt me ꞔështjet anti-terror dhe së fundi Shqipëria ka një Koordinator Kombëtar Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm.
Së treti, këto institucione kanë një bashkëpunim të mirë me komunitetet e qytetarëve, sidomos me ato fetare për parandalimin e ekstremizmit me origjinë ideologjike fetare. Gjithsesi, mekanizmat e bashkëpunimit me komunitetet e ndryshme duhet të forcohen akoma edhe më shumë.
A kërcënohet vetë Shqipëria nga terrorizmi? Nëse po, pse dhe nga vjen kërcënimi?
Redion Qiriazi: Teorikisht, të gjitha vendet kërcënohen nga terrorizmi. Më e saktë pyetja do të ishte “Cili është niveli i kërcënimit të Shqipërisë nga terrorizmi?” Mendoj që kërcënimi real prej terrorizmit në Shqipëri është në tërësi në nivel të ulët. Rastet kryesore janë vetëm 2 tentativa dhe dy dyshime për akte terroriste në territorin e Shqipërisë, në 10 vitet e fundit. Fjala është për sulme të planifikuara terroriste në ndeshjen Shqipëri-Izrael, në nëntor 2016, sulme të mbetura në tentative, ato kundër Kryegjyshatës Bektashiane në mars 2019 nga një qelizë agjenture iraniane, dyshimi se diplomatë iranianë po planifikonin sulme terroriste në Shqipëri kundër opozitës Iraniane në mërgim Mujahedin-e-Khalq (MEK) dhe dyshimi që një shtetas taxhik, përkrahës i ISIS, në maj 2020 mund të ndërmerrte akte terroriste në Shqipëri.
Fatmirësisht të gjitha këto raste janë identifikuar dhe parandaluar në kohë nga institucionet shqiptare, falë bashkëpunimit të ngushtë edhe me partnerët e huaj. Historiku i tentativave të fundit për akte terroriste në Shqipëri dhe kërcënimet e bëra nga regjimi Iranian në Janar 2020, tregojnë që kërcënimet terroriste mund të kenë më së shumti natyrë gjeopolitike së pari dhe ideologjike fetare, së dyti.
Sa efikase janë në Shqipëri hetimi, ndjekja ligjore për financime nga terrorizmi, konfiskimi, dhe sanksionet financiare?
Redion Qiriazi: Si thashë më lart, Shqipëria ka një legjislacion të konsoliduar në këtë drejtim. Deri më sot nuk ka pasur raste të veꞔanta për ndjekje ligjore të financave të terrorizmit. Mendoj se strukturat janë gjithashtu të ngritura, stafet e tyre të përgatitura, por deri më sot nuk u është dhënë mundësia të testohen drejtpersedrejti lidhur me efikasitetin e tyre.
A ka një komunikim efikas, mes agjensive për ndarjen e informacionit, koordinimin mes tyre per zbatimin e ligjit, e kam fjalën lidhur me akte potenciale terroriste apo kapjen e te dyshuarve per të tilla akte? Ku ka nevojë për përmirësime?
Redion Qiriazi: Po, komunikimi më i shpejtë ndërmjet institucioneve të sigurisë është padyshim esencial për parandalimin e rasteve të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit në Shqipëri. Nevojën për përmirësim e ka identifikuar dhe Raporti i DASH, 2019, ndonëse më duhet të them që deri më sot institucionet shqiptare e kanë kryer punën e tyre në parandalimin e ꞔdo rasti të mundshëm të sulmeve terroriste.
Nevoja për përmirësim mendoj, se vjen më së shumti nga burokracia dhe kultura e hierarkisë institucionale në Shqipëri. Kalimi i informacionit, në pjesën më të madhe të rasteve është vertikal dhe shpesh kjo mund të sjellë vonesa në marrjen e informacionit në kohë nga struktura të tjera, të domosdoshme në luftën kundër terrorizmit.
Ndërtimi i strukturave koordinuese të punës së njësive të ndryshme do të ishte lehtësues për kalimin e informacionit në kohë në të gjitha institucionet. Shembuj të ketyre strukturave dhe protokolleve që duhen ndjekur, ka shumë, sidomos në SHBA. Mendoj se kjo është një nevojë për të cilën Shqipëria mund të marrë modele nga vendet partnere, aleate dhe mendoj që këto vende do të ofronin pa hezitim asistencë.
Intervistoi: Ani Ruci