Kërcënimi i kreut të Burgjeve, Gjonaj: Drejtorët do mbrohet nga struktura ”41 Bis”

Kërcënimi i drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, ndonëse nuk u përmend me emër, u rikthye si çështje nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët. Gjonaj theksoi se është krijuar një trupë e posaçme speciale e Policisë së Burgjeve, që do të shërbejë në kuadër të regjimit ”41 Bis” për të dënuarit, e cila do të mbrojë edhe drejtuesit e burgjeve. ”Një pjesë prej jush kanë publikuar raste të kërcënimit të drejtuesve të burgjeve, dhe kjo strukturë speciale do t’i mbrojë. Padyshim edhe Policia e Shtetit duhet të ofrojë mbrojtje”.

Ministrja është shprehur se ”Task-Forca” anti-korrupsion do të ketë një strukturë të re me koordinatorë anti-korrupsion në 17 agjenci qendrore që nuk varen e Ministria e Drejtësisë, por agjenci ku perceptimi i qytetarëve është lartë, si tatimet, doganat,kadastra dhe agjencitë e arsimit dhe shëndetësisë. 17 koordinatorët e përzgjedhur do të jenë në nivel zv/drejtorësh. Kjo strukturë e ngritur me urdhër të kryeministrit do të ketë varësi institucionale nga agjencitë ku do të atashohen, ndërkohë që koordinator i anti-korrupsionir do të vazhdojë të jetë ministri i Drejtësisë. Gjonaj tha fokus për 2020 do të jenë qendra e teknologjisë dhe informacionit për drejtësisë, për manaxhimin e çështjeve si për prokurorinë dhe gjykatën. Ajo deklaroi se do të bëhet një marrëveshje me Italinë që të kartelat e të dënuarve të bëhen elektronikisht përmes një sistemi online, ku të regjistrohen hyrjet, daljet si dhe takimet gjatë periudhës së izolimit.

Sipas projektligjit, efektivët e policisë që do të jenë pjesë e strukturës së posaçme jo vetëm do mbikëqyrin të dënuarit e rrezikshëm të organizatave kriminale që do të mbyllen në ”41 Bis”, por ata do të jenë njësia kompetente që do të ruajnë edhe zyrtarët e burgjeve në rast të kërcënimit të tyre nga anëtarë të grupeve kriminale, që ndërkohë mund të kenë shefat në qeli. Llogaritet që si fillim në ”41 Bis” të angazhohen 94 efektivë policie. Agim Ismaili, drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve, çdo punonjës që do të angazhohet në ”41 Bis” do t’i nënshtrohet Vetting-ut.

Nga ana tjetër, Gjonaj theksoi se viti 2019-të shënoi dy rezultate të rëndësishme, siç ishte ngritja e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit (SPAK) dhe zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm. ”Ministria e Drejtësisë ka nisur reforma për të cilat presim rezultate për vitin 2020”. Ministrja Gjonaj preku edhe çështjen e Gjykatës së Lartë, institucion thelbësor për sistemin, por që nuk funksionon prej kohësh. Sipas ministres, kjo gjykatë do të jetë gati në fillim të vitit 2020. ”Ka ende punë, presim ngritjen e Gjykatës së Lartë, ky proces është vonuar pak edhe për shkak të kompleksitetit dhe kontrollit të kandidatëve. Fillimi i 2020 do na gjejë me Gjykatë të Lartë, dhe kjo do ulë stokun e dosjeve. Lidhur me SPAK , periudha tranzitore ka vështirësitë e veta, por besoj si Prokurori i Përgjithshëm dhe kreu i SPAK po marrin masa sa i takon transferimit të dosjeve në kohë”.

Gjonaj njoftoi edhe nisjen e takimve institucionale gjatë 2020-ës, në bashkëpunim me përfaqësuesit e Bashkimit Europian, për të realizuar koordinimin e institucioneve të reja të drejtësisë. Ajo deklaroi se ndodhen në fazën finale të ngritjes së qendrës për parandalimin e krimeve tek të miturit. ”Po insistojmë fort për një institut jashtë sistemit të burgjeve, me qellim që këta të miturt ndjekin shkollën dhe t’ju ofrohet trajtim psiko-social”. Ministrja paralajmëroi edhe ndërhyrje në Kodin Penal. ”Na kanë ardhur shqetësime nga Prokuroria për trajtimin e disa veprave panele, dhe mendojmë se do të rishikojmë sërish Kodin Penal. Duhet të rishikojmë gjithashtu edhe veprat e reja penale që duhet të përfshihen në Kodin Penal”.

SHKARKO APP