Kërcënoi kreun e ALUIZNI-t në Kukës, arrestohet autori
Kërcënohet me jetë kreu i ALUIZNI-t në Kukës.
40-vjeçari Petrit Hallaçi pasi është konfliktuar me V.S, sipas policisë ka kërcënuar me armë gjahu kreun e ALUIZNI-t, por ndërhyrja e forcave policore ka parandaluar ngjarjen kriminale.
“Eshtë marrë informacion se një shtetas ka kërcënuar shtetasin V.S, për shkak të detyrës, menjëherë strukturat e Policisë të Komisariatit dhe DVP Kukës kanë vlerësuar informacionin dhe organizuar punën, ku u bë e mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit;
P.H., vjeç 40, banues në Kukës.
Nga veprimet hetimore rezulton se shtetasi P.H., ka kërcënuar shtetasin V.S., vjeç 46, banues në Kukës, për shkak të detyrës, dhe është larguar në banesë për të marrë armën e gjahut të cilën e posedonte me leje, ku është rikthyer përsëri, duke prishur dhe qetësinë publike, dhe në këto momente falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë u bë e mundur kapja e autorit si dhe bllokimi i armës.
Materialet për veprime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës për veprat penale “Kanosja për shkak të detyrës” dhe “Prishja e qetësisë publike”, sqaron policia.
KOHA JONË SONDAZH

