Kërkesa e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, Rama: Nuk janë KLSH e as prokuroria! Gjykata Kushtetuese i ka përcaktuar kornizat për këtë proces

Kërkesën e opozitës për të ngritur komisione hetimore për 8 çështje të ndryshme, kryeministri Edi Rama e konsideroi si një kërkesë që cënon Kushtetutën e vendit. Ai tha se Gjykata Kushtetuese ka vendosur kornizat në të cilat mund të miratohet një komision hetimor parlamentar dhe shtoi se opozita nuk mund të përfitojë me këtë të drejtë duke cënuar veprimtarinë e institucioneve pa pasur asnjë indicie.

“Është shumë e thjeshtë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë vendosur kornizat në të cilat mund të miratohet një komision parlamentar. Ne nuk kemi asnjë kundërshtim për ngritje komisionesh por kur nuk cënohet kushtetuta. Nuk mundet dot ta abuzohet me këtë të drejtë për të cënuar qoftë veprimtarinë e institucioneve të tjera.Sepse nuk mund të ngrihet një komision për Portin e Durrësit për shembull.

Sepse duhet të paraqesësh indicie të qarta mbi PSE-në e ngritjes së këtij komisioni. Parlamenti ngre funksione hetimore si ligjvënës në funksion të procesit ligjvënës për të adresuar probleme që dalin në proces. Nuk është kjo fare detyra e parlamentit. Nuk janë këta as KLSH as prokuroria. Gjykata Kushtetuese, Parlamenti ka instrumenta të tjera para se të shkojë tek komisioni hetimor”- tha Rama.

SHKARKO APP