Kërkesa për kartat ID në shkolla, ministria e Arsimit: Sipas procedurave për marrjen e librave
Ministria e Arsimit justifikoi të premten mbledhjen e të dhënave personale të prindërve në shkolla me një procedurë blerjesh të librave, që sipas saj është bërë gjithmonë dhe nuk ka lidhje me qëllimet e ndikimit në zgjedhje të pretenduara nga opozita.
”Mbledhja e numrit të kartave të identitetit nuk ka asnjë lidhje me qëllimet që janë thënë nga opozita. Ky proces ka të bëjë me librat, të cilat në fillim të vitit nxënësit i kanë marrë falas, por në momentin që prindi konstaton që ato janë të papërdorshëm nga fëmijët, për shkak se mund të jenë me probleme, atëherë procedohet me porositjen e librave të rinj”,- tha për Euronews Albania nga ministria.
Partia Demokratike denoncoi të enjten përmes ish-deputetit Luçiano Boçi mbledhjen e të dhënave të kartave të identitetit të prindërve në shkolla.
”Drejtorë të shkollave janë urdhëruar të marrin të dhënat personale nga prindërit e nxënësve. Prindërve u është kërkuar në grupet e Whatsapp -it që të dërgojnë foto të kartave të identitetit, me justifikimin e teksteve mësimore. Ky është një keqpërdorim skandaloz që u bëhet shkollave, është një politizim i dëmshëm i qendrave të dijes, të cilat po kthehen në organizata partie”,-tha Boçi teksa i kërkoi ministrisë së Arsimit që ta ndërpriste këtë praktikë.