SPAK nuk do t’i drejtohet Kuvendit me një kërkesë të dytë për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Prokuroria e Posaçme pritet të vijojë procedurat për dërgimin e dosjes në gjykim, pas refuzimit të shumicës parlamentare për të autorizuar arrestimin e saj.
Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, gjatë një komunikimi me gazetarët, bëri të qartë se institucioni ka marrë tashmë një përgjigje nga Kuvendi dhe se kushtet mbi të cilat ishte mbështetur kërkesa e mëparshme mbeten të pandryshuara.
Sipas Brahos, kërkesa për arrestimin e Ballukut ishte argumentuar me zgjerimin e hetimeve ndaj saj. Megjithatë, në raportin që shoqëroi rrëzimin e kërkesës, mazhoranca parlamentare vlerësoi se ky zhvillim nuk përbënte një rrethanë të re që justifikonte autorizimin e masës.
”Lidhur me mundësinë e një kërkese të re për masë sigurie apo të zëvendësimit të masës, Kuvendi (shumica) na tha në raport se zgjerimi i hetimeve nuk përbën rrethanë të re. Qasja jonë është që kërkesa që kemi bërë në Kuvend duhej të ishte pranuar, por Kuvendi vuri disa kufij dhe jemi në këto kushte”,-tha Braho.
SPAK mbyll hetimet për Ballukun, Klodian Braho: Dosja penale shkon për gjykim
