Kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve të 30 qershorit. Gjykata Kushtetuese pranon padinë e Voltana Ademit

Gjykata Kushtetuese ka pranuar padinë e kryetares së Bashkisë së Shkodrës, Volta Ademi, për shpallje të pavlefshme të procesit të 30 qershorit. Tre gjyqtarë kushtetues kanë vendosur në Dhomën e Këshillimit që ta kualifikojnë padinë e Voltana Ademit për shqyrtim në seancën plenare të kësaj gjykate. 52 ankime të tjera janë rrëzuar që në këtë fazë, ndërsa kjo padi së bashku me padinë e Presidentit për Teatrin Kombëtar e kanë kaluar këtë filtër.

Kjo është vetëm faza e parë e shqyrtimit të kërkesës së kryebashkiakes së Shkodrës, pasi gjykimi dhe vendimi do të kryhen kur Gjykata Kushtetuese të plotësohet me të paktën edhe 2 anëtarë të tjerë, shkruan ABC News.

Aktualisht Kushtetuesja ka vetëm 4 anëtarë dhe të vetmet vendime që mund të marrë janë ato për kalimin ose jo të çështjeve në seancë plenare. Por që të ketë një vendim përfundimtar për zgjedhjet e 30 qershorit gjykata duhet të ketë minimalisht 6 anëtarë, dhe parashikimi se kur kjo mund të ndodhë është i paqartë.

Padia e Voltana Ademit është bërë me 18 korrik dhe ka objekt mos njohjen e gjithë procesit të votimeve një partiake të 30 qershorit. Ankimimi i saj prej 23 faqesh, kishte si argument kryesor faktin se data 30 qershor ishte anuluar me dekret presidencial dhe se në 31 bashki të vendit kandidatët socialistë nuk kishin rivalë.

SHKARKO APP