Kërkonte 1200 euro për kalimin ilegal të Kapshticës, procedohet penalisht pronari i hotelit
Policia e Korçës ka proceduar penalisht pronarin e një hoteli për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
“Duke marrë shkas nga pamjet filmike të transmetuara mbrëmjen e të mërkurës në emisionin “Fiks Fare”, ku shfaqej pronari i një hoteli që ndodhet në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, duke i premtuar një qytetari se do ta ndihmonte për kalimin e nipit të tij, në drejtim të Greqisë, në këmbim të shumës 1200 euro, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë filluan procedimin penal në gjendje të lirë për shtetasin G. Ç., 44 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, pasi dyshohet se ka konsumuar elementë të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve””.
Materialet për hetime të mëtejshme i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë.
Fiks Fare solli mbrëmjen e djeshme rastin e një pronari hoteli në pikën kufitare të Kapshticës , i cili kërkon 1200 euro për të kaluar si ndihmës kamionist në doganë, pa qenë punëtor sezonal.
E dokumentuar me zë dhe figurë pronari i hotelit të vetëm në këtë pikë kufitare premton se mund ta kalojë qytetarin me vula të rregullta në doganë, të shkojë deri në Selanik dhe më vonë mund të udhëtojë për Athinë.
Ai tregon se këtë gjë mund ta bëjë në çdo moment, mjafton të stakohen paratë tek hoteli dhe ai i merr në momentin që personi mbërrin në Selanik.