Këshilli Bashkiak miraton transferimin e fondeve për dy investime të rëndësishme infrastrukturore
Në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak është miratuar projektvendimi për transferimin e fondeve nga buxheti i vitit 2026 në buxhetin afatmesëm 2027–2028, me qëllim financimin e dy investimeve të rëndësishme për komunitetin.
Bëhet fjalë për, ndërhyrjen në segmentin rrugor nga rotonda e Varrezave të Reja deri në lidhje me rrugën “Nos Josifi”, si edhe rivitalizimin urban të shesheve në anën veriore të Unazës Jugore.
Sipas vendimit, Bashkia ka përcaktuar që projekti të financohet në tre vite buxhetore, duke alokuar 20% të fondit në buxhetin e vitit 2026 dhe diferencën në projektbuxhetin afatmesëm 2027–2028. Ky planifikim financiar synon garantimin e zbatimit të plotë të investimeve pa rënduar buxhetin vjetor.
Kërkesa për financim është paraqitur nga Drejtoria e Projektimit Urban, e cila ka përfunduar projektet finale, si dhe nga Drejtoria e Monitorimit për sistemimin e kamareve dhe koshave. Njëkohësisht, në financimin e këtyre objekteve do të përfshihen edhe tepricat e fondeve nga viti paraardhës, si dhe fondet e përfituara nga granti i performancës, të cilat do të transferohen në buxhetin përkatës.
Segmenti rrugor nga rotonda deri në lidhje me rrugën “Nos Josifi” konsiderohet një problem i mbartur prej vitesh dhe ka qenë vazhdimisht pjesë e kërkesave në buxhetimin me pjesëmarrje. Rreth 3000 banorë të zonës kanë kërkuar realizimin e këtij investimi për të shmangur nënkalimin ekzistues, i cili është kthyer shpesh në burim aksidentesh. Ndërhyrja pritet të rrisë sigurinë rrugore dhe të reduktojë ndjeshëm rrezikun për qytetarët.
Me miratimin e këtij projektvendimi, Bashkia i hap rrugë realizimit të dy investimeve të rëndësishme që synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe cilësisë së jetës për komunitetin.
KOHA JONË SONDAZH
A duhet të nxjerrë PD dhe Opozita emrin e kandidatit për Kryeministër, por të mos jetë Berisha?
Results
Vota totale: 2807

