Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë i uron mirëseardhjen anëtareve të rinj
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë, prej pak më shumë se 1 vit nga themelimi, është bërë tashmë një forum i konsoliduar profesionistësh që ndjekin, analizojnë dhe këshillojnë mbi çështje që lidhen me politikën e jashtme dhe me interesat kombëtare shqiptare. Së fundmi, këtij forumi u janë bashkuar edhe diplomatë dhe personalitete të spikatura të jetës publike nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut, duke sjellë një vlerë të shtuar në përfaqësimin e zërave me peshë në mbrojtjen dhe promovimin e interesave tona kombëtare.
Është kënaqësi të njoftojmë anëtarësimet më të reja në KASH të ish Ambasadorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, dhe ish-kandidat për President në RMV, Amb. Blerim Reka, të ish-Ambasadorit të Republikës së Kosovës në Uashington dhe Ankara Avni Spahiu dhe të ish-Ambasadores së Republikës së Kosovës në Romë, Alma Lama.
Këshilli i Ambasadorëve Shqiptarë u uron përzemërsisht mirëseardhjen dhe shpreh bindjen se kontributi i tyre do ta pasurojë dhe lartësojë misionin e KASH në mbrojtje të interesave më të mira të kombit shqiptar dhe rrugëtimit të tij europian dhe euroatlantik.