Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë: Të hapen negociatat me BE për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut
Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë u bashkohet thirrjeve drejtuar vendeve anëtare që njëzëri të miratojnë çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian.
Në deklaratën e tyre thuhet se në të dy vendet ekziston vetëdija e plotë se çelja e negociatave nuk nënkupton anëtarësim automatik, por një marrëdhënie më të afërt e mbikëqyrje më të rreptë në zbatimin e reformave.
“Procesi i zgjerimit gjithmonë e ka forcuar Bashkimin Europian, dhe nuk është bërë kurrë pengesë për reformimin e brendshëm të BE në përshtatje me sfidat e kohës”, shprehen ata.
Këshilli i Ambasadorëve shqiptarë vlerëson se një vendim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me BE në këto momente, do të ishin me rëndësi të jashtëzakonshme si për ritmin e reformave në dy vendet kandidate ashtu edhe për forcimin e besueshmërisë tek institucionet europiane.