Këshilli i Emërimeve në Drejtësi mblidhet pas thirrjeve të ambasadorëve Kim e Soreca
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi njoftoi në mesditë mbajtjen e një mbledhjeje pak pasi ambasadorët e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian bënë thirrje publike për këtë gjë.
Ambasadorët Yuri Kim dhe Luigi Soreca bënë thirrje që Këshilli të mblidhej sa më shpejt në mënyrë që procesi i verifikimit të kandidaturave për postet vakante në Gjykatën Kushtetuese të përfundohej pa abuzuar me afatet.
KED, anëtarët e së cilës ndryshohen çdo vit, ka rol kyç në vlerësimin e kritereve profesionale e morale të kandidatëve për vendet vakante të Gjykatës Kushtetuese. Njëkohësisht Këshilli liston sipas vlerësimit kandidatët, të cilët më pas ua kalon për përzgjedhje Kuvendit dhe Presidentit, të cilët kanë të drejtë të zgjedhin një nga të listuarit, në të kundërtën emërohet i pari në listë.
Aktualisht në Gjykatën Kushtetuese janë anëtare vetëm katër zonjat, Vitore Tusha, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, ndërkohë që pesë vendet e tjera mbeten vakante.
Në vakancën e radhës, KED ka kualifikuar deri më sot tre kandidatë që plotësonin kriteret, Sonila Bejtjën, Aleksandër Tomën dhe Altin Binajn, ndërkohë që gjatë ditës së sotme, Gjykata Administrative e Apelit riktheu në garë Zhaklina Peton.
Këshill i këtij viti pa pasur vështirësi të larta, kryesisht për shkak të pandemisë dhe përplasjeve politike që nxiti drejtimi prej Ardian Dvoranit mes Kuvendit dhe Presidentit lidhur me postin që u diskutua mes Marsida Xhaferllarit dhe Arta Vorpsit, kjo e fundit u pretendua se u emërua automatikisht pas mos-shprehjes në kohë nga Presidenti për të drejtën që ai kishte për emërimin e një prej tre kandidaturave të çuara nga KED-ja.
Javën e shkuar, Presidenca hodhi shortin për anëtarët e KED-së për vitin 2021.
Në rast se KED-ja e këtij viti nuk do ta përmbyllë në kohë procesin e vlerësimit dhe dërgimit të listës së kandidatëve Kuvendit dhe Parlamentit, atëherë ky proces do t’i kalojë Këshillit të vitit të ardhshëm.