Këshilli i Europës, raport për Shqipërinë: Nuk ka përmirësim të dukshëm në luftën kundër pastrimit të parave
Këshilli i Evropës në një raport të publikuar sot për situatën e pastrimit të parave në Shqipërisë arrin në përfundimin se nuk ka gjetur ndonjë përmirësim të dukshëm në këtë drejtim.
Sipas ekspertëve të MONEYVAL Shqipëria nuk ka marrë masa për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit në përputhje me rekomandimet.
MONEYVAL thotë se në Shqipëri nuk ka përmirësime në luftën kundër pastrimit të parave. Ky është përfundimi i raportit të publikuar nga Këshilli i Europës për vendin tonë.
Si rezultat i vlerësimit të bërë në vitin 2018, Shqipërisë iu kërkua të raportonte te MONEYVAL nën procedurën e saj të zgjeruar të ndjekjes. Mangësitë me pajtueshmërinë teknike u identifikuan në lidhje me sanksionet e synuara financiare, transparencën e rregullimeve ligjore, mbikëqyrjen e institucioneve financiare dhe bizneseve dhe profesioneve jo-financiare.
MONEYVAL ka ekzaminuar një sërë masash legjislative, rregullatore dhe institucionale të zbatuara nga Shqipëria për të adresuar këto mangësi. Ai zbuloi se vetëm disa hapa pozitivë ishin ndërmarrë nga autoritetet në lidhje me sanksionet e synuara financiare, të cilat nxitën që vlerësimi për Rekomandimin 6 të FATF të ndryshonte nga “jo i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm”.
Raporti pasues gjithashtu përfshiu zbatimin e kërkesave të reja ndërkombëtare për pasuritë virtuale, duke përfshirë, ndër të tjera, monedhat virtuale më të shquara (Bitcoin, Ethereum, etj.) dhe ofruesit e këtyre aseteve. Vlerësimi i Shqipërisë për zbatimin e këtij rekomandimi është ulur nga “kryesisht i pajtueshëm” në “pjesërisht i pajtueshëm”. Vlerësimet e tjera mbeten të pandryshuara.
MONEYVAL ka vendosur që Shqipëria duhet të mbetet në procedurën e zgjeruar të ndjekjes dhe të raportojë për përparimin e mëtejshëm për të forcuar zbatimin e saj të masave LPP/LFT në bazë vjetore. Vlerësimet e tjera mbeten të pandryshuara.
Komiteti i Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave dhe Financimin e Terrorizmit – MONEYVAL është një organ i përhershëm monitorimi i Këshillit të Evropës, të cilit i është besuar detyra e vlerësimit të pajtueshmërisë me standardet kryesore ndërkombëtare për të luftuar pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmin dhe efektivitetin e zbatimit të tyre, si dhe me detyrën për të bërë rekomandime për autoritetet kombëtare në lidhje me përmirësimet e nevojshme në sistemet e tyre.