Këshilli i Evropës prezanton dy sisteme për modernizimin e administratës publike në Shqipëri

Zyra e Këshillit të Evropës në Tiranë njoftoi sot përmes rrjeteve sociale prezantimin e dy sistemeve kyçe të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore në administratën publike shqiptare: Regjistri Qendror i Personelit (HRMIS) dhe Platforma e Bashkëpunimit. Prezantimi u realizua gjatë një takimi të përbashkët me Ministren e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni dhe Ministrin e Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, si dhe me drejtues të Departamentin e Administratës Publike.

“Këto dy sisteme do të sjellin një përmirësim të ndjeshëm në efikasitetin dhe transparencën e proceseve të burimeve njerëzore, do të lehtësojnë aksesin në informacion dhe dokumente për punonjësit dhe do të forcojnë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve”, lexohet në postim.

“Në kuadër të projektit Mbështetja e Reformës në Administratën Publike në Nivel Vendor në Shqipëri, Këshilli i Evropës do të mbështesë njësitë e burimeve njerëzore në të gjitha bashkitë e vendit përmes sesioneve dhe materialeve trajnuese, udhëzimeve praktike dhe asistencës direkte në vendin e punës.

Përveç rritjes së efikasitetit dhe transparencës, sistemi i ri do të mundësojë krijimin e një inventari të plotë të administratës publike, duke ofruar të dhëna të vlefshme për politika dhe vendime strategjike të mirëinformuara. Kjo kontribuon në ndërtimin e një administrate më profesionale, të unifikuar dhe moderne në Shqipëri”, përfundon postimi.

SHKARKO APP