Këshilli i Sigurimit: Akuza të ndërsjellta Kosovë – Serbi
Në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë akuzuan njëri-tjetrin për ‘minim të procesit për normalizim të marrëdhënieve’.
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë shkëmbyen akuza dhe kundër akuza në një seancë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që u zhvillua në Nju Jork më 09.04, ku vendet anëtare diskutuan raportin e UNMIK-ut për Kosovën, një mision ky i OKB-së që ende qëndron në Kosovë, por, sipas përfaqësuesve të Kosovës pa ndonjë rol vendimmarrës.
Ministri i ri i Jashtëm kosovar Glauk Konjufca, para anëtarëve të OKB-së, i bëri thirrje Serbisë që të pranojë realitetin dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur. “Kosova mbetet e gatshme të normalizojë marrëdhëniet ndërshtetërore dhe fqinjësore, megjithatë pengesë ndaj paqes dhe normalizimit të marrëdhënieve mbetet Serbia që as nuk është e interesuar t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën e as të hyjë në BE. I bëjmë thirrje Serbisë të ballafaqohet me realitetin e vet dhe ta njohë Kosovën si shtet të pavarur e sovran dhe të mos mbajë peng të gjithë rajonin”, tha shefi i diplomacisë kosovare Konjufca. Sipas tij, siç e përshkruan Konjufca, “përkundër lulëzimit të demokracisë në Kosovë, Beogradi ka bërë përpjekje për të vazhduar rolin e vet destruktiv, me ndërhyrje në zgjedhje dhe mbështetjen për Listën Serbe”, partia më e madhe e serbëve të Kosovës. Ministri i jashtëm i Kosovës, Glauk Konjufca, tha se “Kosova nuk pret normalizim të marrëdhënieve me Serbinë pa llogaridhënie të qartë për sulmet në Banjskë dhe Ibër-Lepenc dhe garanci për ndalje të agresionit”.
Nga ana tjetër shefi i diplomacisë Serbisë Marko Gjuriq, që përfaqësoi Serbinë në Këshillin e Sigurimit, akuzoi qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Albin Kurti, për siç thotë, “shtypje të zërit të serbëve lokal”. Ai tha se “flet në emër të atyre që mbahen nën presion në Kosovë”, duke shtuar se “për serbët lokalë në Kosovë, identiteti është kthyer në burim të pasigurisë, pasi nën regjimin e Kurtit, serbët identifikohen si të tjerët dhe që arrestimet, sulmet arbitrare dhe eksodi i serbëve nuk mund të injorohen”. Gjuriq përmendi ligjin për të huajt, i cili në Kosovë ka hyrë në fuqi më 15 mars. Në bazë të këtij ligji, serbët e Kosovës kanë afat edhe 12 muaj që ta rregullojnë statusin e qëndrimit dhe vendbanimit të përhershëm në Kosovë.
Gjuriq: “Serbët përballen me pengesa të shumta administrative e ligjore”
“Ka pasur rrezik real që njerëzit, të cilët kanë punuar me dekada, do të trajtoheshin si të huaj, duke humbur të drejtën e tyre për qëndrim apo për të jetuar në shtëpitë e tyre. Masat e tyre jo vetëm që janë të paqarta ligjërisht, por tregojnë për një vazhdimësi të riformimit të situatës. Serbët përballen me pengesa të shumta administrative e ligjore që ua bëjnë jetën më të vështirë, nga qasja në shërbime publike, deri te ushtrimi i të drejtave themelore”, tha Marko Gjuriq. Shefi i diplomacisë serbe kërkoi nga Kosova që ta themelojë edhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe, sepse, sipas tij, “serbët kanë mbetur pa kornizën ligjore që u është premtuar”.
SHBA porosit normalizimin e raporteve Serbi-Kosovë
Nga anëtarët e përhershëm të KS-it të OKB-së, më e zëshmja ishte zëvendëspërfaqësuesja e SHBA-së në OKB, Tammy Bruce, e cila tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë të qarta në qëndrimin e tyre. “Normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, është rruga e vetme përpara për dy vendet”.
“Presidenti amerikan, Donald Trump dhe amerikanët po dëgjojnë me kujdes që ju të zotoheni qartë për të punuar dhe për të ecur përpara së bashku. Ne shpresojmë që të dyja palët do t’i ulin tensionet dhe do të ulen në tavolinë të bisedimeve. SHBA-të do të punojmë nga afër me liderë që shohin nga e ardhmja, e jo kah e kaluara, pra me dialog të vërtetë dhe jo teatër”, tha Tammy Bruce, duke mbështetur siç tha “stabilitetin në Kosovë dhe Serbi, në mënyrë që të ruhet stabiliteti në tërë rajonin e Ballkanit”.
Dialogu i ngrirë që nga viti 2023
Kosova dhe Serbia që nga viti 2013 zhvillojnë dialog për përmirësim marrëdhëniesh nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. I ngarkuari i fundit i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, takoi (09.04.2026) në Beograd, presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, me të cilin siç tha Sorensen në platformën X, “zhvilloi takim të mirë për avancim të diskutimeve për çështjet kryesore të dialogut si dhe analizimin e përparimit në zbatimin e Ligjit të Kosovës për të huajt”.
“U pajtuam për nevojën që të mbetemi të angazhuar dhe të punojmë së bashku për përfitime konkrete për të gjithë”, shkroi Sorensen, i cili muajin e kaluar ishte për vizitë edhe në Prishtinë ku zhvilloi takim me kryeministrin Albin Kurti. Gjatë takimit të Sorensen të enjten në Beograd me Vuçiq, ky i fundit duke iu referuar ligjit të Kosovës për të huajt tha se, “masat e njëanshme të Prishtinës, si dhe aplikimi i rregulloreve pa respektuar rrethanat reale në terren dhe pa marrëveshje në Bruksel, krijojnë presion serioz mbi popullin serb dhe institucionet vitale serbe në Kosovë”. Aleksandër Vuçiq, shprehu nevojën për vazhdim të dialogut me Kosovën të ndërmjetësuar nga BE-ja, për siç tha “parandalim të veprimeve, që e minojnë procesin”. Takimi i fundit i nivelit të lartë ndërmjet kryeministrit kosovar Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është mbajtur në shtator të 2023 në Bruksel./DW/
KOHA JONË SONDAZH

