Këshilltari i Ramiz Alisë: Ka thënë për Saliun se është një hileqar

Sekretari personal i Ramiz Alisë, Guro Zeneli, tregon për takimin që ka pasur Alia me Sali Berishën gjatë trazirave të vitit 1991. Duke folur në një intervistë për "Panorama", ai rrëfen edhe çfarë mendonte Ramiz Alia për Berishën.

Si ka qenë marrëdhënia e Ramiz Alisë me Sali Berishën në ditët e grevës së studentëve, apo njiheshin dhe takoheshin edhe më parë?

Jo, nuk janë njohur. Ramizi, pasi mësoi se greva e studentëve drejtohej nga tropojanë të Qytetit Studenti, i kërkoi Xhelil Gjonit që të gjente njerëz të partisë nga Tropoja që të shkonin dhe të flisnin me ta. Të vendosej një urë komunikimi me njerëz të të njëjtit rreth, ku mund të gjendeshin lidhje farefisnore. Ramizi donte me çdo kusht që të shmangte një përplasje të dhunshme të studentëve me policinë dhe ushtrinë, donte të shmangte një përplasje civile. Xhelili e gjeti Saliun dhe i kërkoi që me porosi të Ramiz Alisë të shkonte dhe të bisedonte me studentët e grevës së urisë. Pasi kishte marrë përsipër ndërmjetësimin me studentët, Ramizi i tha Xhelil Gjonit që t’ia çonte Saliun në shtëpi që ta takonte. Dhe ashtu u bë, Xhelili e çoi Saliun te shtëpia e Ramizit dhe kanë folur bashkë. Por Ramizi ma ka shprehur se: “Këta tropojanët janë hileqarë, gënjejnë dhe luajnë me dy porta!”.

Çfarë është folur në atë takim?

Ajo që di unë është një kërkesë e Ramizit që të takonte vetë studentët. Por Saliu nuk ka dashur që Ramizi t’i takonte ata, por t’ia besonte atij këtë komunikim, duke dhënë garanci se gjërat do të qetësoheshin. Këtu, Ramizi dyshoi te sinqeriteti i Berishës se kërkonte ta kthente këtë situatë në favorin e tij personal. Por Ramizi këmbënguli për një takim me studentët dhe shkoi vetë në Qytetin Studenti për të folur me ta, ku u kërkoi që të ndërprisnin grevën dhe të riktheheshin në mësim, ndërkohë qeveria do të merrte të gjitha masat për plotësimin e kërkesave të tyre ekomomike. Në atë takim Saliu ka shprehur konsiderata të larta për Presidentin Ramiz Alia.

Gjatë atyre ditëve të grevës, ka pasur takime të tjera të Ramizit dhe Berishën, ndoshta të fshehta?

Mbase ka pasur, por nga goja e Ramizit për Saliun, unë kam dëgjuar fjalën: “Është hileqar, nuk është i sinqertë!”. 

SHKARKO APP