Këtë të dielë janë zgjedhjet lokale, pikat kryesore të programit të Arlind Qorit për Tiranën
Kandidati i “Lëvizjes Bashkë” për Bashkinë e Tiranës, Arlind Qori tregon më shumë në një intervistë për ”A2cnn”, mbi arsyet që e shtynë atë të hyjë në këtë garë, pikat kryesore të tij dhe të lëvizjes që ai përfaqëson në krye të bashkisë dhe pritshmëritë që “Lëvizja Bashkë” ka në zgjedhjet e 14 majit.
Cila është arsyeja e vendimit tuaj për të kandiduar në garën për kryetarin e ri të Bashkisë së Tiranës?
Njëlloj si edhe për gjithë qytetarët e tjerë, edhe për mua, Tirana është e pajetueshme. Pra, është një vend pa parqe, pa terrene sportive, pa këndë lojërash. Është një vend ku uji i pijshëm nuk pijet, ku ajri të sëmur e ku çmimet e apartamenteve janë nga më të shtrenjtat në Evropë. E në këtë kuptim Tirana ka nevojë për një ndryshim dhe zhvillim të qëndrueshëm, dhe unë beso se “Lëvizja Bashkë” ka kapacitet e duhura për ta sjellë këtë ndryshim. Në rast se nuk e bëjmë ne, nuk ka se kush e bën. Unë besoj se ne e kemi këtë shtysën e shoqërisë pas nesh. Në këtë sens mendoj se kemi mundësinë të sjellim rezultatet e përmendura më sipër.
Nëse mund të na rendisni pesë pikat kryesore të programit tuaj në krye të bashkisë?
Ne duam që Tirana të ketë një plan të ri urbanistik, që të shohë me përparësi mbrojtjen dhe rikuperimin e hapësirës publike.
Nga ana tjetër ne kemi një pikë për strehimin, që synon që në pak kohë të ulë çmimet e apartamenteve dhe të banesave me qira.
Ne në programin tonë kemi idenë e edukimit me orar të zgjatur, që do të thotë që fëmijët të rrinë në shkollë deri në orën 16-17 të pasdites, si në vendet e zhvilluara perëndimore.
Të modernizojmë dhe ta bëjmë të përballueshëm për të gjithë transportin publik në Tiranë, kjo do të bëhet duke shtuar korsitë e dedikuara të autobusëve, përmes përmirësimit të cilësisë së shërbimit të autobusëve dhe përmes masave sociale që do të inkurajonin përdorimin e tyre në qytetin e Tiranës. Në programin tonë, studentët, pensionistët, të papunët dhe njerëzit në pamundësi ekonomike, do të kenë mundësi që të udhëtojnë falas me urban.
Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje?
Ne e kemi të vështirë ta llogarisim ose parashikojmë se sa vota do marrim, se jemi një parti e re. Nga takimet me qytetarët në rrugë, mua më duket se do të kemi një rezultat mbresëlënës. Unë them ne do marrim nga pesë vota deri në 150 mijë vota. Të shohim ku do jemi në këtë spektër. Do mbarojmë zgjedhjet, por ne do vazhdojmë punën tonë.