Kiço Blushi: Sukses për pozitën, dështim për opozitën
(Botuar me 30 Dhjetor 1995 në KOHA JONE)
Nga Kiço Blushi-
Populli shqiptar e ka të vështirë të dallojë të vërtetën, në ka qenë i lumtur apo fatkeq gjatë 1995, po qe se do të mbetet skllav i propagandës pozitë-opozitë. Sepse zyrtarët e lartë dhe aparatcikët propagandistikë i thonë: ky ka qenë viti më i suksesshëm në gjithë jetën mijëravjecare, ndaj duhet të ndjehesh jo vetëm i lumtur, por edhe krenar, pasi i kalove gjithë popujt lindorë për ritëm zhvillimi, kurse propaganda e opozitës, thotë të kundërtën: korruptimi, mashtrimi, dështimet dhe demagogjia jonë cilësitë kryesore të qeverisjes së sotme… Kujt t’i besosh? Viti 1995 ishte vit i zhdërvjellët në fushën diplomatike: Dy takime me personalitet më të lartë të botës: Klinton e Kohl. Parë me një sy objektiv, këto ngjarje janë me rëndësi për Shqipërinë, për këtë vend të vogël të cilësuar të varfër e të prapambetur. Po ç’u arrit e ç’pret shqiptari nga SHBA e Gjermania? Njerëzit e zakontë bëjnë pyetje shumë më praktike: mos Berisha ka marrë garanci për të ndenjur gjatë në pushtet, derisa e pritën personalitetet e larta të botës para zgjedhjeve? Në qoftë se po, atëherë ç’garanci ka dhënë ai dhe me ç’mënyra do ta mbështesin? Ndihmat, investimet e kreditë që do ta ndihmonin një synim të tillë nuk po duken aq sa dëshirohen, atëherë c’doli nga këto vizita të reklamuara me aq solemnitet? Një mbështetje shumë më të madhe i dha Perëndimi Cillerit të Turqisë, para zgjedhjeve: madje veç anës politike, u rrafshuan doganat me 15-shen e Evropës, gjë që do të luajë rol parësor në ngritjen e mirëqenies së turqve, po atëherë përse dështoi Kryeministrja turke dhe partia e saj? Një gjë është e sigurtë: Shqipëria i ka dhënë NATO-s jo vetëm lehtësira portuale por edhe bazat. Është ndoshta rasti i vetëm në botë që bazat jepen falas, pa kushte, duke e lutur NATO-n si dhe pa marrë ende miratimin e Parlamentit. Është ndoshta rasti i parë në historinë e Aleancës Atlantike që t’i bëhet naze një “dashurie”të tillë të njëanshme e pa kushte. Por, ç’fitoi në fund të fundit qytetari i rëndomtë shqiptar nga kjo dashuri e dendur me NATO-n. Nga lojërat ushtarake të bëra në Shqipëri? U garantuan kufijtë? Përfitoi Kosova? U rrit niveli ekonomik? U ndërtua ndonjë Aeroport? U ndërtua ndonjë autostradë? Këto pyetje nuk i zgjidhi dot viti 1995. Dhe as mund t’i zgjidhte, pasi 1995 është vit euforik dhe i demagogjisë, i një demagogjie dalë boje e cila, për fatin e vet të keq, vazhdon ta konsiderojë opinionin publik shqiptar si një foshnje e cila është e destinuar të gëlltisë atë që i jep biberoni: propagandë zyrtare. Udhëheqësit tanë duket se e paskan të trashëguar këtë veti: t’ju hyjë vetja në qejf, t’ju duket vetja më i bukuri, më i mençuri, më i shkathëti e më oratori. Fatkeqësisht ata besojnë edhe gënjeshtrat që sajojnë vetë dhe kërkojnë, me hir e pahir, që jo vetëm bashkëpunëtorët e afërt por edhe populli e sidomos opozitarët t’i shohin në buzë, t’i duartrokasin e të thonë lepe-peqe. Por kjo kohë ka marrë fund një herë e përgjithmonë. Ka marrë fund edhe ksenomania e shqiptarit, ngaqë ishte i izoluar për 50 vjet dhe nuk i njihte të huajt. Shqiptari refugjat e ky i këtushmi e kuptoi ç’është kapitalizmi dhe ç’do të thotë fjala pronar. Megjithëse vendi po thërret investitorët e huaj, ata nuk po vijnë ashtu siç u ëndërrua në fillim të viteve 90. Ata që guxojnë të vijnë për të investuar në Shqipëri, nuk largohen ngaqë punëtorët shqiptarë pretendojnë të marrin paga gati si kolegët e tyre grekë apo italianë. Këta pajtohen edhe kur paguhen sa një e dhjeta e tyre, por sepse nuk mësohen dot me baltën e rrugëve, pasigurinë e jetës, mungesën e ujit e të dritave e mbi të gjitha me sulmin e ryshfeteve që ju bën administrata, që nga polici e deri te pushtetari i lartë. Viti 1995 po i lë trashëgim vitit që po vjen një administratë të korruptuar, e cila do të jetë shumë zor të shkulet. Mund të ndërrohen ministrat, por nëpunsëria shqiptare e mësuar të mbijetojë e të shkelë ligjet, po qe se i zgjatet bakshishi, do të jetë zor të ndërrohet. Hjekësit shqiptarë do t’i kemi në vitin 1996 para syve, sidomos do të mundemi t’i dallojmë cilët janë po qe se do të ndërrohet ekipi qeverisës. Këta do të kalojnë menjëherë tek partia që do të fitojë, duke tradhëtuar partinë dhe udhëheqësit që sundojnë sot. Do të përsëritet e njëjta zhvendosje që ndodhi me aparatcikët e PP që vraponin e shërbenin tek PD-ja pa ardhur ende kjo parti me pushtet. Këta nëpunësa, zyrtarë të vegjël e sidomos votuesit shqiptarë nuk kanë më komplekse. Efekti “Bejker”në Shqipëri nuk do të përsëritet më, ashtu sic nuk do të përsëriten mitingjet e mëdha në fillimet e pluralizmit. Nëqoftëse qytetari i thjeshtë është cliruar nga verbëria ndaj të huajve, politika shqiptare nuk është e shëruar nga ksenomania. Kjo është sëmundja e saj kronike. Të gjithë politikanët e Shqipërisë të pozitës e opozitës, ngaqë vuajnë nga kompleksi i injorantit me të huajt, dhe nga kompleksi i madhështisë me vendasit, sytë i kanë te deklaratat e personaliteteve të huaja. Besojnë, gjynahqarët se votuesi shqiptar do të trulloset, po qe se filan personalitet botëror do të prononcohet pozitivisht për filan shqiptar, apo për filan parti. Viti 1996 do të dëshmojë nëpërmjet zgjedhjeve të reja, nëse votuesit shqiptarë ishin aq naivë e të manipulueshëm nga deklaratat e papërgjegjshme të të huajve dhe nga shifrat e statistikave e sondazheve që i venë shqiptarët në karrigen e më të lumturve. Mua më duket se në vitin 1995, propaganda kthehet në antipropagandë dhe anasjelltas. Viti 1995 ishte viti i kontrabandës së naftës dhe i klandestinëve. Mirëpo edhe këto dy “fabrika”që mbanin me bukë mijëra familje në Veri e në Jug, u mbyllën. Viti 1996 do të tregojë se sa dhe si i ushqenin këto dy fabrika shqiptarët. Le të shpresojmë se viti 1995 nuk ishte vit hileqar që t’i lejë në kurriz paraardhësve inflancion, deficit të lartë dhe si rrjedhim, rritje të pakontrolluar të cmimeve. Pa u mbyllur ky vit i cuditshëm, ditën që Presidenti deklaron në konferencën e shtypit se do të rriten rrogat e sidomos pensionet, të nesërmen, pozita thotë se, përkundrazi, në 1996 do të rriten cmimet. Pra, kujt t’i besojë shqiptari i shkretë? Viti 1995, vec bllokimit të naftës e të skafeve po i lë vitit 1996 fusha të përmbytura në Veri, tension politik të pakontrolluar, njëlloj si përmbytjet, që nxjerrin edhe eshtrat e të vdekurve. Të vdekurit, ishet ballistë, ishet komunistë si dhe ishet komunist mes vedi ( ata që u vetquajtën demokratë me ata socialistë apo soc-demokratë) kanë ndezuar në Shqipëri si askërkund në Lindje, urat e urrejtjes, hakmarrjes e përcarjes kombëtare. Viti 1995 po i lë në kurriz vitit pasardhës edhe ligjin famëmadh për genocidin. Ky ligj historik, barra e të cilit do të bjerë mbi vitin 1996, pasi si do ta ekzekutojë, do të bëhet vërtet historik, po qe se nuk do të abrogohet nga Parlamenti i ri, pasi është një rast unikal në historinë e njerëzimit, kur një Parlament pluralist popullit të vet ja sanksionon me ligj genocidin që ka bërë mbi vetveten. Dhe po qe se viti 1996 do të cojë deri në fund amanetin e paraardhësit që të ngrejë në mes të Tiranës edhe “Muzeun e genocidit”, ku të provohet se si shqiptarët kanë shfarosur shqiptarët, le të besojmë se, pas kësaj, turizmi i të huajve në Shqipëri do të rritet kryesisht me serbë e grekë, që do të shohin me sytë e tyre se si në Ballkan shqiptarët janë “raca më e vetinkriminuar”. Viti 1995 vrau shqiptarët në kufi, në det dhe në emigracion. Le të shpresojmë se viti 1996 nuk do na sjellë arkivole nga jashtë, le të shpresojmë se vetëgjyqësia që po ringjall gjakmarrjen do të mjekohet nga një politikë shqiptare më e urtë; le të shpresojmë se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do t’i sjellin Shqipërisë një qeverisje më të mencur, politikanë më pak makutë, njerëz më të përgjegjshëm dhe më pak gënjeshtarë. Populli shqiptar ka nevojë për drejtues që ta bëjnë me mirëqenie reale dhe jo me mirëqenie demagogjike; jemi ngopur me shifra të shpifura që u shërbejnë vetëm atyre që nuk duan të lëshojnë karriket e pushtetit, sic qe dikur cmimi ndërkombëtar për ushqimin, pikërisht në një kohë kur dyqanet ishin bosh. Tani në Shqipëri nuk janë vërtet njerëzit nëpër radha, por janë mallrat e ushqimit në radhë, duke pritur blerësit, sic tha një gazetar i TVSH. Po sa para ka shqiptari në xhep dhe cila është fuqia e tij blerëse? A nuk janë cmimet njëlloj si në Europë, ndërsa pagat janë dhjetë e njëqind herë më të ulta, ndërsa papunësia është më e larta në Evropë? A nuk zëmë vendin e parë në Evropë për emigracion, duke e krahasuar shifrën e të ikurve me numrin e popullsisë? C’tregon, pra kjo? Që Shqipëria, shtëpia jonë, nuk i mban dot djemtë e saj me bukë dhe se politika që drejton Shqipërinë nuk ka mundur të hapë perspektiva zhvillimi e begatie kombëtare. Ndaj cdo shqiptar normal që ndjen përgjegjësi për vendin e vet, në këtë fundviti e pyet veten: Quo vadis, Shqipëri? Ku po shkon Shqipëri? Viti 1996 do t’i japë përgjigje përfundimtare kësaj pyetje. Me ndihmën e Zoitit, tek i cili ne shqiptarët i varim shpresat, ngaqë jemi të pafuqishëm të administrojmë vetë fatin tonë, si dhe me mençurinë instiktive të popullit, i cili sa herë i është drejtuar i lirë kutive të votimit, nuk ka gabuar në total, le të shpresojmë se Shqipëria në vitin 1996 do të tregojë se Shqipëria e meriton lirinë dhe di të jetojë në komunitetin europian, duke respektuar normat e demokracisë.