Kikia: Media ka bërë detyrën, kush abuzon të publikohet me emër dhe të merret drejtësia

Media ka bërë detyrën, ka pasqyruar gjithçka për situatën e tërmetit dhe askush nuk duhet të trembet nga presioni i kryeministrit Edi Rama.

Gazetari dhe analisti Mentor Kika, i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora tha se media ka edhe mangësitë e veta, por propozon që ata që abuzojnë me lajme për përhapje paniku duhet të bëhen publike me emër gazetari dhe media.

Kikia: Do të preferoja të flitej me emra konkret gazetarësh, me emra konkret mediash. Nëse media, apo një gazetar qëllimisht publikon apo përhap lajme për të krijuar panik dhe kaos absolutisht që ndaj këtij gazetari apo ndaj kësaj medie duhet vepruar. Nëse një media do nxjerrë një lajm që në mbrëmje duhet të largohemi nga Tirana sepse në malin e Dajtit do të shpërthejë një vullkan, absolutisht që duhet ndërhyrë. 

Në kushtet kur qytetarët janë të traumatizuar, ka një javë rrinë të gjithë me telefon në dorë dhe numërojnë lëkundjet, masin shkallën e lëkundjeve, shikojnë lajme pa fund, shikojnë pallate të shkatërruar, është akumuluar një energji negative. Përhapja e panikut është e patolerueshme nga ana profesionale për gazetarët dhe është e dënueshme në aspektin ligjor, por nuk duhet adresuar në tërësi, do ju shtyp kokën, do jo bëj këtë dhe do ju bëj atë. Paniku është një vepër penale, sikundër është vjedhja, vrasja. 

Nëse dikush kryen një krim, vjedh një shtëpi apo vret një njeri nuk mundet që dikush të dalë dhe të thotë do ju shtyp kokën kujdo që do bën vrasje. Jo, shtypi kokën atij që ka vrarë. Edhe në këtë rast duhet adresuar konkretisht kush ka shkuar, kush ka folur, çfarë ka shkruar, çfarë ka folur dhe të merret drejtësia njësoj siç do merret me këdo që shkel ligjin. Detyra jonë është të informojmë. Unë mendoj që përballë këtyre presioneve nuk ka pse të trembemi, ne duhet të vazhdojmë të bëjmë punën mirë.

/Ora News

SHKARKO APP