Kim flet për qeverinë e re: Performanca në nivel mesatar, duhet zgjidhur korrupsioni

Ambasadorja amerike në Tiranë, Yuri Kim në një intervistë për ”Zërin e Amerikës”, ka folur edhe për qeverinë e re ”Rama 3”, por edhe për klimën e biznesit në vend. Ajo tha se mandati i tretë i paprecedent e vendos Ramën para një përgjegjësie të jashtëzakonshme si dhe ekipin e tij për të fituar, për të demonstruar se e kanë fituar besimin e popullit shqiptar. Sipas saj, performanca në nivel mesatar nuk mjafton.

Zëri i Amerikës: Duke kaluar tani në kampin tjetër, atë të qeverisë. Tanimë është e njohur përbërja e kabinetit të ri. Çfarë prisni ju nga qeveria e re shqiptare, ndonëse kemi të njëjtin kryeministër dhe vetëm pak emra të ndryshuar?

Ambasadorja Kim: Mendoj se fakti që Kryeministri Rama ka fituar një mandat të tretë të paprecedent vendos një përgjegjësi të jashtëzakonshme mbi të dhe ekipin e tij për të fituar, për të demonstruar se e kanë fituar besimin e popullit shqiptar. Mendoj që stili “si zakonisht”, pra performanca në nivel mesatar nuk mjafton. Mendoj se ekzistojnë mundësi historike përpara zotit Rama dhe pjesës tjetër të kabinetit, qoftë nëse flitet për reformën në drejtësi dhe konsolidimin e institucioneve të demokracisë; qoftë nëse flitet për rritjen dhe thellimin e marrëdhënieve në fushën e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara; qoftë nëse ka të bëjë me pastrimin e gjykatave dhe sqarimin e të drejtave të pronësisë në mënyrë që investimet të fillojnë të rriten fort këtu në Shqipëri në një mënyrë që është shumë më normale.

Zëri i Amerikës: Një ndër tre prioritetet e misionit tuaj në Shqipëri, është biznesi, krijimi i një klime të favorshme për investimet amerikane. Por ndërsa dy kompani të mëdha, po përgatiten për të hyrë në sektorin energjetik, besimi i atyre që punojnë në Shqipëri ka ardhur duke u ulur. Sondazhi i fundit e Dhomës amerikane të Tregtisë, tregon një rënie në nivelet e vitit 2012. Ata flasin për problem me taksat, me monopolet, me prani të asaj që njihet si oligarki. Pra nëse i referohemi ndjesisë së sipërmarrësve të Dhomës amerikane, situata duket e përkeqësuar….

Ambasadorja Kim: Mendoj se duhet të shihni të dhënat faktike për nivelet e investimit, por ia vlen të dëgjohen ndjenjat që shprehen nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe investitorë të tjerë. Mendoj se është diçka e mirë që Kryeministri ka ngritur një forum ku dhomat e ndryshme të tregtisë, jo vetëm amerikane, por italiane, gjermane, një numër dhomash të tjera, bëhen bashkë për të ndarë idetë e tyre dhe, në fakt, në disa raste, për të paraqitur kërkesat e tyre.

Është diçka e mirë të ndodhë, por më gjerësisht, mendoj që ajo që pasqyrojnë këto raporte është fakti që korrupsioni vret investimet. Vret shpresën. Prandaj, duhet zgjidhur korrupsioni. Nuk është çështje morale, nuk është çështje vetëm morale. Është një çështje e biznesit. Është një çështje e begatisë. Është çështje e sigurisë. Pra, gjykatat duhet të jenë të pastra. Prokurorët dhe gjyqtarët duhet të kalojnë vettingun.

Rregullat duhet të jenë të qarta dhe proceset duhet të ndodhin në kohë dhe duhet të jenë të efektshme dhe, në fund të ditës, mendoj se barra i bie qeverisë që të demonstrojë dhe në fakt të ndërmarrë hapa që pastrojnë korrupsionin, që sigurojnë që reforma në drejtësi zbatohet shpejt, dhe që të bëjë të qartë se cilat janë rregullat dhe procedurat dhe, përsëris si në fillim, të drejtat e pronësisë qëndrojnë në thelb të kësaj. Pra, kjo është fusha e madhe ku qeveria e re, e cila është qeveria e vjetër, mund të bëjë një dallim të madh historik.

SHKARKO APP