Kina kundërpërgjigjet tarifave të Trump: Nga 10 prilli, 84% tarifa për produktet amerikane

Kina ka vendosur të rrisë ndjeshëm tarifat ndaj produkteve të importuara nga Shtetet e Bashkuara, në përgjigje të masave të fundit tregtare të administratës Trump. Duke nisur nga 10 prilli, tarifat do të arrijnë në 84%, nga 34% që ishte parashikuar më herët, njoftoi Ministria e Jashtme kineze.
Ky vendim shënon një përshkallëzim të ri në tensionet tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë. Sipas autoriteteve kineze, këto masa janë një kundërpërgjigje ndaj tarifave totale neto prej 104% që SHBA ka vendosur ndaj importeve kineze.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Lin Jian, deklaroi në një konferencë për shtyp:
“Nëse SHBA vërtet dëshiron ta zgjidhë problemin përmes dialogut, duhet të tregojë qëndrim respekti, barazie dhe përfitimi reciprok. Kina do të ndërmarrë masa të vendosura dhe të forta për të mbrojtur interesat e saj.”
Pekini ka reaguar me gjuhë të ashpër ndaj vendimeve të presidentit amerikan Donald Trump, duke i quajtur ato “kërcënuese” dhe “gabim pas gabimi”.
Tregjet reagojnë menjëherë
Njoftimi i tarifave të reja shkaktoi tronditje në tregjet globale. Indeksi amerikan S&P 500 ra me 1.5%, ndërsa Stoxx Europe 600 humbi 4.2% të vlerës. Rënie të ngjashme panë edhe FTSE 100 (-3.4%), DAX gjerman (-3.4%) dhe CAC 40 francez (-3.4%).
Tensionet tregtare SHBA–Kinë kanë rikthyer pasigurinë ekonomike globale, ndërsa të dyja palët vazhdojnë me masa të ndërsjella që priten të kenë ndikim të gjerë në tregti dhe investime.