Kina synon mbikqyrje të plotë, duke përfshirë edhe shtëpitë e banorëve të saj
Deri në vitin 2020, Kina do të ketë përfunduar rrjetin e saj të identifikimit të fytyrës dhe mbikëqyrjes kombëtare, duke arritur mbikëqyrjen afërsisht totale të banorëve nëpër zonat urbane, duke përfshirë shtëpitë e tyre nëpërmjet televizorëve dhe telefonave “smart”. Sipas gazetës zyrtare Legal Daily, plani 5 vjetor kërkon mbikëqyrje të plotë, identifikim të fytyrës dhe një bashkim i plotë i bazave të të dhënave ekzistuese në të gjithë vendin. Autoritetet në provincën jugperëndimore të Sichuan njoftuan në dhjetor se kishin përfunduar vendosjen e më shumë se 40,000 kamerave të vëzhgimit në më shumë se 14,000 fshatra si pjesë e rrjetit mbikëqyrës mbarëkombëtar “Sytë e Mprehtë”, tha gazeta.
Bell New Vision Co. me bazë në Guangdong po zhvillon platformën mbarëkombëtare “Sytë e Mprehtë” që mund të lidhë kamerat e mbikqyrjes publike dhe ato të instaluara në pajisjet “smart” në shtëpi, në një rrjet mbarëkombëtar për shikimin në kohë reale nga kushdo që i jepet e drejta. “Sytë e Mprehtë” vjen nga një slogan i Partisë Komuniste Kineze në pushtet, “njerëzit kanë sy të mprehtë”, partia tradicionalisht mbështetej në sytë dhe veshët e komiteteve vendore të lagjeve për të mbajtur nën vëzhgim lëvizjet e banorëve.
Së shpejti, policia dhe zyrtarë të tjerë do të jenë në gjendje të monitorojnë aktivitetet e njerëzve në shtëpitë e tyre, kudo që ekziston një kamerë e lidhur me internetin. Një përdorues kinez i internetit i cili kërkoi të mbetet anonim tha se platforma e medias sociale, WeChat, ka filluar gjithashtu të lëshojë paralajmërime për këdo që shkruan mesazhe të cilat qeveria i konsideron të padëshirueshme.
“Interneti dhe telefonat tanë kanë qenë nën mbikqyrjen e qeverisë për një kohë të gjatë,” tha përdoruesi. “Një mik i imi në Anhui është nën vëzhgim, ai u përpoq të blejë një biletë avioni për të shkuar jashtë shtetit, por ai nuk mundi të largohej nga vendi”. “Mund të vendosemi nën lëvizje të kufizuar ose të persekutohemi prej tyre, ose të vendosemi nën mbikëqyrje, në çdo kohë”, tha ai. “Në përgjithësi, ndihemi sikur nuk jemi fare të lirë”.
Sistemi i kredisë sociale
Nën një projekt eksperimentues të kreditit social, njerëzit që konsiderohen si “ngatërrestarë” nga autoritetet, duke përfshirë ata që janë përpjekur të mos paguajnë biletat, kanë tymosur në transportin publik, shkaktojnë shqetësime në fluturimet komerciale ose “shpërndajnë informacion të rremë” në internet tani do t’u ndalohet blerja e biletave të trenave, njoftoi qeveria më parë këtë muaj.
Punëdhënësit që nuk paguajnë sigurimet shoqërore ose njerëzit që nuk kanë paguar gjobat gjithashtu do të jenë në listën e kufizuar, e cila hyn në fuqi më 1 maj. Administrata e presidentit Xi Jinping po ndërton aktualisht një sistem të kreditit social që i lejon institucionet qeveritare të ndajnë informacion mbi besueshmërinë e qytetarëve të saj dhe të përcaktojë një “kredi sociale” për qytetarët. Në fillim të vitit 2017, Gjykata e Lartë Popullore e vendit tha se 6.15 milionë shtetas kinezë ishin ndaluar që të fluturojnë, raportoi Reuters.
/Radio Free Asia/