Kishte fshehur mbi 94 mijë paund në makinë dhe po vinte në Shqipëri, arrestohet 49-vjeçari në Kakavijë
Goditet një rast i mosdeklarimit të parave në kufi.
Shërbimet e Policisë Kufitare në Kakavijë, si rezultat i shtimit të kontrolleve me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në kontroll më të detajuar, automjetin tip furgon me drejtues shtetasin N. T., 49 vjeç, banues në Dimal.
Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë Kufitare dhe shërbimet e FRONTEX-it, në bashkëpunim me shërbimet doganore, në një vend të përshtatur në automjet gjetën të fshehura 86810 paund, ndërsa në një çantë dore gjetën dhe 7400 paund, të cilat ky shtetas nuk i kishte deklaruar. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve të para të kryera nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në DVP Gjirokastër, drejtuesi i furgonit, shtetasi N. T. u procedua penalisht për veprat penale “Mosdeklarimi i të hollave dhe sendeve me vlerë në kufi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.