“Kjo është bota moderne o plako”, Artan Fuga i indinjuar: Çfarë po na ndodh me teknologjitë e informacionit?!

Placeholder Image

Akademiku Artan Fuga i dedikon një shkrim në “Facebook” teknologjisë së informacionit, që ka përparuar aq shumë, e që vijon të dominojë çdo ditë e më shumë, në kohët moderne.

Fuga thekson mes të tjerash se duke ofruar shërbimet online, duhen ulur çmimet e këtyre shërbimeve, pasi qytetarët tashmë i kryejnë vetë dhe jo si dikur, kur i bënte punonjësi.

“Lëre këtë, por na kërkojnë që të bëjmë pa na paguar punën e punonjësve të tyre që dikur i kishin, por tani i kanë hequr, duke i lënë pa punë. Bëjmë punë vullnetare kot e më kot. Jemi kthyer në punonjës pa pagesë të agjencive të shërbimit që na thonë : Uuuu, kjo është bota moderne o plako!

Po, por uli çmimet e shërbimeve sepse unë po e bëj vetë shërbimin tim o mashtrues! Pse m’i merr lekët njësoj sikur dikur që shërbimin m’a bënte punonjësi yt?

Ka edhe më! Punonjësit që i kanë hequr nga puna i lënë në rrugë. I zëvendësojnë robt me kompjutera. Jashtë ju të tjerët!”, shkruan Fuga.

Postimi i plotë i Fugës:

Cfarë po na ndodh me teknologjitë e informacionit?!
Në fakt jemi në një situatë që duhet menduar me të gjitha specifikat e veta. Disave u ka ngelur sahati 70 vjet përpara, të vjen keq për ta që kujtojnë se opinioni publik lëviz me orën e tyre. Vazhdojnë sipas metodës : Unë nuk jam një kokër misri, sepse edhe kur unë them se nuk jam një kokërr misri, ka një një gjel që nuk e kupton këtë dhe prej një shekulli kërkon të më hajë!

Ka të tjerë që e mendojnë realitetin me slogane të gatëshme propagandistike dhe nuk thellohen, marrin formulat e tyre krejt rigjide dhe kujtojnë se realiteti është ai që kujtojnë ata.
Na mbytën konceptet dhe fantazmat e nxjerra nga sepetet e aneve (gjysheve) ddhe sloganet propagandistike të tipit të revolucionit kinez 🙂 Nxirr tre citate nga libri i kuq i maos dhe bërtit ekran më ekran.

Sa pak njerëz që artikulojnë mençur, qetë, besueshëm. Por, edhe ka!
Ja mendoj për sjelljen e shoqërisë përballë teknologjive të telekomunikimit.
Unë i dua këto teknologji. Patjetër. Por, mënyra si përdoren dhe si shoqëria jonë u përgjigjet atyre është krejt e pamenduar, ecim në tym, merremi me histori të vjetra në vend të përballojmë sfidat e shekullit të 21. Mendojmë shekullin e kaluar dhe me konceptet e sepeteve të stërgjysheve kërkojmë të kuptojmë realitetin e sotëm.

Ka biznese të mëdha shërbimesh, edhe publike, që fusin teknologjinë e informacionit, Internetin, etj., dhe mirë bëjnë, por ne nuk mendojmë ore çfarë fitojmë ne si qytetarë?
Shikoni se çfarë ndodh: Banka kërkon që veprimet t’i bëj online, ujin, dritat, t’i paguaj online, binzesi ta hap dhe ta mbyll online, të rregjistrohem online, biletën e avionit online, dreqin me të birin online.

Dhe na e mbushin mendjen se qenka në interesin tonë. Ore me të vërtetë e keni?
Duhet të rrish pa fund para telefonit dhe kompjuterit për të komunikuar me platforma që janë komplet të saturuara, lëre se gjen dikë të ankohesh, a të sqarosh një çështje, lëre se ke njeri të ndihmojë nëse nuk di të përdorësh teknologjitë. Na duan të gjithëve inxhinjerë elektronikë!!!
Lëre këtë, por na kërkojnë që të bëjmë pa na paguar punën e punonjësve të tyre që dikur i kishin, por tani i kanë hequr, duke i lënë pa punë. Bëjmë punë vullnetare kot e më kot. Jemi kthyer në punonjës pa pagesë të agjencive të shërbimit që na thonë : Uuuu, kjo është bota moderne o plako!
Po, por uli çmimet e shërbimeve sepse unë po e bëj vetë shërbimin tim o mashtrues! Pse m’i merr lekët njësoj sikur dikur që shërbimin m’a bënte punonjësi yt?
Ka edhe më! Punonjësit që i kanë hequr nga puna i lënë në rrugë. I zëvendësojnë robt me kompjutera. Jashtë ju të tjerët!

Dhe çfarë na del! Ne bëhemi vullnetarë si dikur në aksione, punojmë pa lekë për agjencitë e shërbimeve, punonjësit e tyre dalin pa punë, mijra vende pune nuk hapen, papunësia rritet, ndërkohë që bizneset e informatizuara, shumë edhe sipërmarrje publike, rrisin fitimet.
Në varfërohemi, ata pasurohen, ne pa punë, ata me kompjutera, ne gjoja luks se marrim shërbime nga Interneti, ata nxjerrin nga puna ose nuk krijojnë vende pune për mijra njerëz.

A e mendon njeri këtë? A ka studime për këtë? A mendon njeri të nxisë ligje, norma, rregullore për të mos pësuar ndikimet e dëmshme, të teknologjive të informacionit, përdorur si dimë ne, kuturu?
Apo hajde nxjerrim nga sepetet velenxat e gjysheve dhe mbulojmë kokën me to!
A ka mundësi të mos bëjmë arkeologji mendimi kur është fjala për të parë aktualitetin në sy!
Pa dyshim ka zgjidhje! Por, kush pyet se !!!

 

SHKARKO APP