Kjo është Groenlanda, krahina autonome për të cilën ka nisur sherri BE-Trump
Ishte periudhë Krishtlindjesh kur presidenti i zgjedhur i SHBA risolli në vëmendje oreksin e tij për të bashkuar Groenlandën me SHBA.
Çfarë është Greenland (Groenlanda)?
Groenlanda është ishulli më i madh i botës. Në pjesën më të madhe është i mbuluar nga akulli. Ka rreth 56.000 banorë.
Ky territor është i pasur në lëndë të para dhe ka një pozicion strategjik në Atlantikun e Veriut. Prej 600 vitesh i përket Danimarkës dhe gëzon autonomi të zgjeruar.
Përpjekjet e hershme të Trump
Synimi i Trump ndaj Groenlandës nuk është diçka e re. Edhe në mandatin e kaluar kishte të njëjtin qëllim, aq sa tentoi edhe ta blinte ishullin.
Veprimet që ka ndërmarrë aktualisht
Dy ditë më parë, në 7 janar të këtij viti, Eric Trump, djali i Trump vizitoi ishullin dhe në një konferencë, në të njëjtin ditë, Donald Trump u shpreh se do të ndërmerrnin edhe hapa ushtarakë nëse do të ishte nevoja, për ta marrë këtë ishull.
Reagimet kundër
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noël Barrot, ka thënë se BE-ja nuk do të lejojë asnjë vend të ‘sulmojë kufijtë e saj sovranë’ pasi Donald Trump kërcënoi se do e merrte qoftë edhe me forcë Groenlandën.
“Padyshim që Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë kombet e tjera në botë, kushdo qofshin ata, madje do të thoja duke filluar nga Rusia, të sulmojnë kufijtë e saj sovran. Ne jemi një kontinent i fortë, duhet të forcohemi më tej”.
Për çfarë e duan të gjithë Groenlandën?
Me shkrirjen e akujve do të dalin edhe më shumë në pah pasuritë nëntokësore që ishulli ka. Liderët botërorë që kanë synime mbi ishullin premtojnë shndërrimin e tij në një zonë më të banueshme, pasi aktualisht mungon infrastruktura, që nga rrugët e deri tek hekurudhat.
A do të jetë ky ishull thembra e Akilit që do të ndezë një konflikt BE-SHBA e ndoshta edhe më gjerë me përfshirjen e Rusisë?