Kjo Opozitë, a e rrëzon dot nga pushteti Edi Ramën?!
Nga Herion Mesi
Opozita ndodhet para një udhëkryqi të madh jetik për veten dhe për ata që përfaqëson; ajo nuk ngjall më besim dhe nuk ka forcë të përballet me kryeministrin Rama. Opozita garantoi votuesit se asnjë votë nuk do preket me 25 prill, por jo vetëm u preken, por votuesit u meken para eurove që hodhën grupet e biznesit. Opozita deklaronte se do bënte namin nëse prekej një votë, por asgjë nuk po ndodh. Përkundrazi opozita e drodhi dhe u mbyll në heshtje! PD po zihet mes vetes, kurse LSI nuk ndjehet se ku ndodhet. Opozita u nda në dy koalicione vetmitare kur mund të ishte një dhe të fitonte pushtetin. Opozita entuziazmohej nga vargu i makinave që shoqeronin liderët, ndërsa pushteti kishte lista për çdo votues se si do votonte. Opozita fliste për mbi 90 mandate deputeti, por as 65 nuk mori!
Opozita vendosi kalamajë në lista deputeti, kurse Rama djallëzisht ofroi çdo njeri që merrte vota.
Tani palët janë përballë njeri tjetrit. Basha e mori vulen e PD-së dhe duhet të jap zgjidhje popullit opozitar, ndërkohë që Edi Rama vazhdon turet jashtë shtetit duke u pritur nga nivele të larta të diplomacise botërore. Ai takoi sekretarin Amerikan te Shtetit, Blinken. Dhe do të vijojë pa u ndalur. Edi Rama nuk rrëzohet nga kjo opozitë dhe të bërit opozitë siç është bërë në këto vite.
Edi Rama bie vetëm nëse do vetë ose nëse atë e ha ekonomia e vendit. Edi Ramën nuk e frikson kjo opozitë. Tym e flakë e bëri populli para parlamentit, por gazi ia shkatërroi sytë dhe frymën, ndërkohë që lidershipi nuk kishte vendosmeri në përballje. Rama iu mori Kodin Zgjedhor dhe këta, si delet, shkuan në votime siç deshi kryeministri.
Pavarëisht se populli opozitar e do të rrëzuar Edi Ramën, nuk ka se si ai të iki prej pushtetit nga opozita e sotme e cila e ka mendjen të lyerja e flokëve me modele europiane apo që rri me shpresen se Zoti i çon rrufenë Edi Ramës.
Kryeministri i sotëm rrëzohet me alternativë të besueshme e cila bën që adrenalina popullore të ndizet fitili i zemërimit, pra kur shikon se ka emra seriozë e të besueshëm, atëhere populli del në sheshe. Por kur vështron se opozita është e përçarë, kur shikon se Rama vetëm pritet nga shtete të rendesishme, apo kur lidershipi opozitar rri e shikon se mos ka ndonjë copë pushteti nga mundësia që Rama mund të ofrojë këtë vjeshtë; atëhere populli zhgënjëhet.
Edi Rama do përballje në çdo front dhe përditë e jo me stinë. Por pikësëpari Opozita duhet të ndryshojë vetveten dhe strategjinë. Në të kundërt Edi Ramën e kemi këtu dhe atje në Surrel derisa ai të mplaket vetë nga Zoti.