KKT miraton lejen e zhvillimit për aeroportin e Kukësit dhe inceneratorin e Tiranës

Aeroporti i Kukësit ka marrë lejen e zhvillimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit në mbledhjen e fundit të mbajtur nga ky institucion në mbledhjen e pak ditëve më parë. Përveç aeroportit një tjetër vendim i rëndësishëm është ai për lejen e ndërtimit për inceneratorin e Tiranës, e cila fillimisht ishte planifikuar të miratohej në datë 27 shkurt, por që më pas u hoq nga rendi i ditës për t’u miratuar në atë të 17 majit.

Këshilli Kombëtar i Territorit ka kaluar në diskutim të paktën 22 pika nga të cilat disa janë plane vendore për bashki të rëndësishme në vend si Bashkia e Vlorës, Korçës, plani vendor për Vorën si dhe Kolonjën. Një pjesë e vendimeve prekin Bashkinë e Tiranës dhe lidhen me projektin e zgjerimit të impiantit në Bovillë.

Aeroporti i Kukësit

Në janar të këtij viti, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli fituesin për garën e dhënies me koncesion/PPP të Aeroportit të Kukësit bashkimin e përkohshëm të Shoqërive “Global Technical Mechanichs” sh.p.k. dhe “Bami” sh.p.k. me vlere investimi prej 7,999,393 Euro (pa TVSH) është identifikuar nga komisioni si oferta e suksesshme. Ky bashkim operatorësh ekonomik në bashkëpunim me kompaninë hollandeze NACO me eksperiencë në fushën e menaxhimit dhe administrimit të aeroporteve do të kryejë investimin në vlerën e lartpërmendur me synim rikonstruksionin, operimin dhe transferimin e aeroportit të Kukësit tek shteti pas periudhës 35 vjeçare të koncesionit.

Investimi parashikon rehabilitimin dhe operimin e Aeroportit të Kukësit, duke bërë zgjerimin e pistës së aeroportit, zgjerimin e terminalit të pasagjerëve, zgjerimin e zonës së parkingut etj. Aeroporti do të ketë qëllim të funksionojë si aeroport për transportuesit me kosto të ulët duke qenë se për nga infrastruktura, thjeshtësia dhe teknologjia e tij, ai i përshtatet modelit të biznesit të linjave ajrore me kosto të ulët.

Inceneratori i Tiranës

Inceneratori i Tiranës u dha si projekt koncesionar në vitin 2017 në një garë ku fituese u shpall ‘Integrated Eregy BV SPV, kompania zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga Integrated Energy B.V. e regjistruar në Holandë. Kompania fitoi në garën për koncesionin e nderimit të landfillit, inceneratorit dhe rehabilitimit të vend depozitimeve ekzistuese në Tiranë me një ofertë 128 milionë euro pa TVSH. Afati i koncesionit është 30 vjet.

Inceneratori i Tiranës është një nga tre projektet e kësaj natyre në vendin tonë ku i pari ishte ai i Elbasanit, i Albtek Energy me një kosto totale prej 5.3 miliardë lekë tashmë në gjendje pune, i dyti inceneratori i Fierit me një kosto 3.97 miliardë lekë.

Vetëm pak ditë më parë kompania që ka koncesionin e inceneratorit të Tiranës dorëzoi një dokument pranë autoriteteve shqiptare për të kërkuar miratimin e lejeve mjedisore për landfillin e mbetjeve të rrezikshme jo radioaktive që është nënprojekt i projektit kryesor.

Pikat e miratuara në mbledhjen e KKT

Për miratimin e Dokumentit të Nismës për hartimin e Planit të Detajuar për Zonën me Rëndësi Kombëtare për njësitë SH_10-N22-01, SH_10-N22-02, SH_10-N22-03, në afërsi të fshatit Bogë, Njësia Administrative Shkrel, Bashkia Malësia e Madhe, me propozim të Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.

Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Kolonjë.

Për miratimin e Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Vorë.

Për miratimin e ndryshimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Vlorë, miratuar me Vendimin Nr. 1, datë 16.10.2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Për miratimin e ndryshimit të Planit të Përgjithshëm Vendor të Bashkisë Korçë,miratuar me Vendimin Nr. 7, datë 08.02.2017 të Këshillit Kombëtar të Territorit.

Për miratimin e Dokumentit të Nismës për hartimin e Planit Kombëtar Sektorial në fushën e Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta, me propozim të Ministrisë së Infrasrukturës dhe Energjisë.

Leje Zhvillimi për objektin: “Aeroporti Ndërkombëtar i Kukësit, Bashkia Kukës”, me subjket zhvillues shoqërinë koncesionare “Kukës International Airport” sh.p.k.

Leje Ndërtimi për objektin: “Shtesë e impiantit të përpunimit të ujit në Bovillë, Herraj, Bashkia Kamëz”, me zhvillues “Ujësjellës Kanalizimet Tiranë” sh.a.

Leje Ndërtimi Infrastrukture për objektin: “Ndërtimi i ujësjellësit për fshatin Vilëz dhe rikonstruksion ujësjellësi për fshatrat Shëngjin i Vogël, Besh, ZallBastar dhe Zall-Dajt dhe Senitet në Zall-Bastar, Bashkia Tiranë”, me zhvillues Bashkinë Tiranë.

Leje Ndërtimi Infrastrukture për objektin: “Punime për rehabilitimin e rrjetit hidrik të Tiranës, Linja e tubacionit për furnizimin me ujë nga Liqeni Bovillës deri në impiantin e trajtimit të ujërave Bovillë, si dhe rikonstruksioni i linjës nga depo Kinostudios me drejtim në depon e Tiranës ”, me zhvillues Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës – Kanalizimeve.

Leje Ndërtimi Infrastrukture për objektin: “Ndërtimi i Nënstacionit të ri 110/20 kV, Valias, Bashkia Kamëz”, me zhvillues Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sh.a.

Për rishikimin e kushteve, ndërtimin e urës lidhëse dhe rehabilitimin e rrugës ekzistuese për objektin: “Ndërtimi i Nënstacionit Tec Kombinat 110/20 Kv, Bashkia Tiranë”, me zhvillues Operatorin e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sh.a.

Për miratimin e ndryshimeve në projekt gjatë ndërtimit të objektit dhe shtyrje të afatit të lejes së ndërtimit për objektin: “Uzina e prodhimit të ferrokromit, Bashkia Elbasan”, me subjekt zhvillues shoqërinë “GSA” sh.p.k.

Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i Landfillit, Inceneratorit dhe rehabilitimi i venddepozitimeve ekzistuese, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Integrated Energy BV SPV” sh.p.k.

Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërhyrje pjesore në godinën kryesore të Spitalit Rajonal Berat_Materniteti, Bashkia Berat”, me zhvillues Spitalin Rajonal Berat.

Leje Ndërtimi për objektin: “Ndërtimi i shkollës profesionale të IT-së “Karl Gega”, Tiranë”, me zhvillues Minitrinë e Financave dhe Ekonomisë.

Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks i ri rezidencial i stafit diplomatik të Ambasadës së Kuvajtit, Bashkia Tiranë”, me zhvillues Ambasadën e Shtetit të Kuvajtit në Shqipëri, Tiranë.

Leje Ndërtimi për objektin: “Kompleks polifunksional turistik hotel 5 kat – restorant e shërbime tregtare 1 kat – rezidenca sezonale 5 kat – parkim nëntokë 1 kat, Bashkia Durrës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “Dyrrakium” sh.p.k

Leje Zhvillimi për objektin: “Ndërtim për pulari, Bashkia Vau i Dejës”, me subjekt zhvillues shoqërinë “J.R.E” sh.p.k.

Leje Ndërtimi për objektin: “Rikonstruksion i pikës së karburantit, ndërtimi i tendës dhe objektit të shërbimit 1 kat, me vendndodhje në rrugën “10 Korriku”, Bashkia Vlorë”, me zhvillues shoqërinë “Kastrati” sh.a.

Për disa shtesa dhe ndryshime në Vendimin e KKT-së Nr. 17, datë 07.06.2016 “Për shqyrtimin e kërkesave për Leje Zhvillimi dhe Ndërtimi brenda Zonave të Rëndësisë Kombëtare”, i azhurnuar./Monitor

SHKARKO APP