Gjosha: Gratë nga e gjithë Shqiperia, i janë bashkuar kauzës së LSI për një të ardhme më të mirë

Deputetja e LSI, Klajda Gjosha në takimin e Lëvizjen e Gruas për Integrim u shpreh se gratë e gjithë vendit mbështesin kauzën e LSI për fuqizimin e rolit të femrës në shoqërinë shqiptare dhe më shumë të drejta.
Fjala e Kryetares së LGI-së, Klajda Gjosha në takimin e LGI
Jeni kaq shumë sa është e pamundur që t’iu mbajë kjo sallë. Ne duhet të kishim shkuar në pallat të sportit. Jeni të jashtëzakonshme, e keni bërë jashtëzakonisht të bukur këtë sallë sot. Dhe dua t’iu falënderoj që keni ardhur nga çdo cep i Shqipërisë për t’iu bashkuar kauzës së madhe së LSI-së, kauzës për një familje më të fortë, për një ë ardhme më të mirë dhe për t’u bërë të gjithë së bashku. Ne takohemi rreth një vit më vonë pas takimit të fundit me gratë dhe vajzat e LSI-së. Dhe t’iu them të drejtën të gjithë mendonim se pas një viti do të kishim një jetë më të mirë, do të shpresonim më shumë për familjet tona, për fëmijët tanë.
Por sot edhe pas një viti secila nga ne ka një brengë. Ka brengën që fëmijët po largohen nga Shqipëria. Ka brengën që mbi 400 mijë të rinj dhe të reja janë larguar nga ky vend për një jetë më të mirë. Ka brengën që gratë dhe vajzat janë sot më shumë të papuna se kurrë më parë. Ka brengën që edhe kur kanë një punë kanë një rrogë aq minimale sa vetëm mund të ushqejnë fëmijët e tyre më bukë dhe asgjë më shumë. Ka brengën që fëmijët nuk i shkollojnë dot sepse çmimet janë shumë të larta, sepse edukimi nuk përshtatet me standardin që duhet të ketë rinia shqiptare sot, fëmijët tuaj. Kanë brengën se po i merret prona. Ju e keni parë besoj edhe Astirin, njerëzit e Unazës së Re, sepse sot bërtasin. Për çfarë bërtasin? Bërtasin për gjakun edhe djersën e tyre. Sepse një nënë 60 vjeçare nuk mund të dalë më as të punojë as të paguajë, as të marrë një kredi në bankë për të marrë një shtëpi tjetër. Nuk mund të krijojë më dot një strehë për fëmijën e saj.
Ju besoj të gjitha sot na drejtoni një pyetje, pse me datë 8 dhjetor ky takim i grave, kur 8 dhjetori është Dita e Rinisë. Po ku ka më bukur se një nënë të festojë 8 dhjetorin për kurajën e fëmijëve të tyre, për protestën e fëmijëve të tyre, për dashurinë që ato kanë për Shqipërinë, për lirinë, për këtë atdhe dhe për ta bërë demokracinë më solide në këtë vend. Unë dua t’iu kërkoj sot me zemër një gjë shumë të rëndësishme, mbështesni fëmijët tuaj. Protesta e studentëve që ka 4 ditë që zgjat në rrugët e Tiranës dhe të gjithë Shqipërisë është e jashtëzakonshme. Nuk është sfidë vetëm e tyrja. Është sfida e nënave që ndodhen në këtë sallë dhe në të gjithë Shqipërinë, kudo që ato ndodhen.
Dy momente kanë mbetur në kujtesën time nga ky marshim i madh i studentëve në të gjithë Shqipërinë dhe besoj edhe në kujtesën e gjithsecilit prej jush. E para kur një mësuese e shkollës së mesme kërcënonte prindërit dhe fëmijët që të mos dilnin në protestë dhe nëna i shkruan vajzës së vet që ku je ti, sepse mësuesja më thotë që nuk je në klasë. Dhe vajza i dërgon një video, ajo i ishte bashkuar protestës së studentëve. Dhe nëna nuk i bërtet vajzës së saj, por me gjithë dashurinë dhe pasionin për fëmijën i thotë: “Nëse beson në kauzën tënde, atëherë ti do të fitosh.” Dhe kjo është zemra e një nëne, kjo është mbështetja më e madhe që mund të japë një nënë. E dyta, nuk e di në qoftë se e keni parë dje atë nënë që kishte blerë disa sanduiçë, ashtu thjesht dhe ia shpërndante bukë fëmijëve, studentëve që ishin ulur pranë Ministrisë së Arsimit. Unë besoj që secila nga ne e ka për detyrë ta bëjë këtë. Ne jemi bashkë për t’i mbështetur ata studentë. Askush më mirë se një nënë nuk e bën dot. Ndaj unë ju ftoj të gjithave, kështu siç jeni, por edhe jashtë kësaj salle, të mbështesim të ardhmen tonë, të ardhmen e fëmijëve tanë.
Unë dua t’iu falënderoj me zemër që jeni sot këtu, me zemër që e keni mbështetur LSI-në në ditët e saj më të vështira. Por sot ne jemi në ditë shprese, ndaj dhe ju jeni bërë shpresa më e madhe e këtij vendi dhe unë ju falënderoj shumë. Besoj që me duartrokitje, por edhe me gjithë shpirt ne së bashku duhet të mbështesim kryetaren e LSI-së, të vetmen grua kryetare partie, që ka luftuar mes gjithë agresivitetit politik, mes gjithë shëmtirës politike që ndodh në këtë vend, mes të gjithë burrave. Ajo nuk është e vetme, sepse na ka të gjithave ne këtu. Dhe ka shumë herë më shumë jashtë kësaj salle. Unë kam nderin dhe privilegjin të ftoj Monika Kryemadhin.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?