Klajda Gjosha: Shqipëria mori me vete edhe Maqedoninë e Veriut
Ish-ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha, duke folur për procesin e hapjes së negociatave me BE, thotë se Shqipëria rrezikon seriozisht të përballet me veto nga Franca dhe vendet e tjera. Ajo tha se Shqipërinë e penalizoi fakti se qeveria nuk mori në konsideratë kushtet që vendosi Europa një vit më parë.
E ftuar në rubrikën “Opinion” në News 24, Kladja Gjosha tha se Shqipëri mori me vete edhe Maqedoninë e Veriut, e cila për hir të negociatave ndryshoi edhe emrin dhe arriti marrëveshje historike me Greqinë. Kjo marrëveshje mes Tsipras dhe Zaev u konsiderua si marrëveshja e viti 2019.
Pjesë nga intervista:
Çfarë po ndodh në Bruksel, a është rimarrë çështja për t’u diskutuar apo ka mbetur aty ku ishte një ditë më parë?
Shqipëria ka qenë një ndër vendet me më shumë zë në Bruksel. Jam e bindur se kjo çështje është rimarrë sërish sot. Duket se do të shkohet në një veto nga Franca, Holanda dhe Danimarka. Duhet të jetë rimarrë sërish sot çështja, sepse vendet do japin edhe rekomandimet. Do duhet që palët të mbajnë një qëndrim për të dyja vendet, unë besoj se ky moment është shumë i rëndësishëm për të gjithë ne për të kuptuar se ku jemi. Nëse do të flisja me shpresën, ajo vdes e fundit, por si tekniciene them se duket qartë se do të shkoj me veto. Kjo duket se nuk është më shpresa, por as lobim, sepse Franca nuk toleron dhe po duhet shumë strikte, sidomos për Shqipërinë dhe ka folur Macron për çështjen shqetësuese, siç është ajo e azilkërkuesve.
Çfarë na penalizoi?
Shumë gjëra. Ajo që qeveria nuk mori në konsideratë janë kushtet, sepse këto kushte kanë qenë edhe një vit më parë. Nëse ne këtë vit vazhdojmë me këtë mentalitetin e vjetër, të jeni të bindur se Shqipëria jo vetëm 2019, por edhe vitin tjetër, do të ketë përgjigje negative. Ky është moment reflektimi, sepse nuk është çështje e individit, por për të gjithë qytetarët.
Ju (opozita) ndjeheni përgjegjës?
Të gjitha kanë përgjegjësi dhe të gjitha kanë gabime. Ekzekutivi është ai që vendos në tryezë kushtet që i janë caktuar Shqipërisë. Ne sot nuk kemi një përgjigje se “pse po ikin shqiptarët? Ky është viti u humbjes së shpresës. Opozita duhet të marrë një rol tjetër për t’u kthyer në alternativë. GjermaniA është pasqyra e realitetit shqiptar, kushtet që ka vendosur tregon se ajo është njohësja më e mirë e dinamikës së brendshme ku ndodhet Shqipëria. Si qeveria dhe opozita duhet të reflektojnë dhe të ulën për të sheshuar problemet dhe tejkalimi e këtij tranzicioni.
Besoni se GjermaniA ka qenë avokate e Shqipërisë?
Gjermania ka qenë mbështetëse në formën e saj. Edhe këtë radhë është përpjekur. Unë mendoj se tashmë Macron vendimin e ka marrë pasi debatet janë pak a shumë publike. Ne shohim eurokomisionerin Hahn dhe reagimet e tij. Fatkeqësisht Shqipëria ka marrë me vete edhe Maqedoninë e Veriut. Maqedonia sakrifikoi shumë dhe këtë e ka bërë në emër të integrimit dhe të çeljes së negociatave.