Klandestinë nga Shqipëria drejt Britanisë përmes Spanjës, arrestohet grupi

 

Një bandë e cila kalonte ilegalisht shqiptarë drejt Britanisë përmes udhëtimeve me avion është shkatërruar nga policia spanjolle. Kalimi i tyre bëhej duke përdorur karta identiteti të falsifikuara.

Policia ka arrestuar 12 persona të dyshuar si trafikantë dhe 85 persona të tjerë të cilët janë kapur me dokumente të falsifikuara në avionë me destinacionin Britaninë, thuhet në një njoftim për shtyp.

Ne Spanje siguronin karta identiteti false- Disa anëtarë të rrjetit në Shqipëri kontaktonin me qytetarë të cilët donin të largoheshin duke u premtuar punë në Britani dhe në Irlandë thuhet në njoftim. Me të mbërritur në Spanjë një anëtar i grupit u siguronte emigrantëve pasaporta false, leje qëndrimi, patenta dhe karta shëndeti si shtetas rumunë, italianë apo grekë me qëllim kalimin e tyre drejt Britanisë ose Irlandës.

“Anëtarët e grupit në Barcelonë kujdeseshin për rezervimin e hotelit,blerjes së biletës së avionit dhe instruktonin emigrantët në lidhje me procedurën e hipjes në avion me qëllim shmangien e kontrolleve të policisë” informohet në deklaratë

Klandestinët për të shkuar në Spanjë kalonin përmes Italisë dhe Turqisë, shkruan AFP.

Arrestimet janë kryer kryesisht në aeroportin “El Prat” në Barcelona, në aeroportin “Bajaras” Madrid dhe në aeroportin kryesor të ishullit të Majorkës që është një nga desitionacionet kryesore turistike në Mesdhe.

Policia nisi hetimet në nëntor të vitit 2014 pasi zbuloi numrin e madh të pasagjerëve me origjinë shqiptare të cilët udhëtonin për në Britani dhe Irlandë duke përdorur aeroportet spanjolle si tranzit.

Gjatë kontrollit u sekuestruan dokumente te falsifikuara italiane, rumune, greke, sllovene, franceze, bullgare e belge.

SHKARKO APP