Klevis Balliu: PD po shkon drejt fitores absolute. PS del parti e tretë pas zgjedhjeve të 25 prillit
Ish-deputeti i PD-së, Klevis Balliu i ftuar në rubrikën “Opinion” në studion e lajmeve në News 24 deklaroi se në Shqipëri, vrasjet dhe krimet janë bërë rutinë.
Nisur nga kjo situatë, Balliu tha se ndryshimi për vendin do të nisë pas 25 prillit, kur në zgjedhje PD do të korrë një fitore plebishitare, ndërsa PS arrin të jetë vetëm forcë e tetë.
“Vrasjet janë bërë rutinë në këtë vend. Shteti nuk funksionon. Në 8 vite qeveri është treguar se Rama kriminelët dhe banditët i ka miq. Një gjë të tillë e faktojnë edhe deputetët e kriminalizuar që futi në Parlament. Sot askush nuk është i sigurt të dalë nga shtëpia në orën 00:00 të natës. Askush nuk është i bindur ta çojë fëmijën në shkollë dhe aty të mos gjejë drogë.
Opozita e Bashkuar është sot më e fortë se kurrë, ne do shpartallojmë bandat dhe krimin e organizuar sapo të vijmë në pushtet. Këtu bëhet fjalë për një revolucion demokratik. Sondazhet e nxjerrin PD shumë më lart se PS. Nuk ka asnjë shqiptar që i ha më mashtrimet e tyre. PS del parti e tretë pas zgjedhjeve të 25 prillit. Askush që ka qenë në spital nuk e voton Ramën, asnjë student nuk e voton me tarifat e shkollës që vetëm iu janë rritur, asnjë fermer nuk e voton. Ai e di mirë, bën sondazhet e veta, ndaj edhe ka lëvizur nga Vlora se i ka parë edhe ai sondazhet”,- tha ish-deputeti.
Sa për protestën e naftëtarëve të Ballshit, Balliu tha se pas kompanisë që sorollat punonjësit, fshihet vetë kryeministri.
“Qeveria nuk i pret naftëtarët, i çon policinë atyre. Ata nuk kërkojnë ndonjë gjë, kërkojnë vetëm pagesat e tyre. Po jetojmë në një moment absurd. Në rastin më të parë po të ishte PD do i priste, do i mbështeste. Ata po kërkojnë paratë e tyre, rrogën e tyre. Kush është ai shqiptar sot që pranon të punojë pa marrë rrogë. Pastaj ndërhyn shteti dhe të arreston ty që kërkon rrogën tënde. Kjo ndodh vetëm se Edi Rama është i përfshirë në atë kompani”,- tha Balliu.