Klevis Balliu: Protesta e 12 nëntorit, aspiratë lirie dhe goditje ndaj diktaturës

Nga Klevis Balliu

Protesta e 12 Nëntorit, aspiratë lirie dhe goditje ndaj diktaturës
Edi Rama në 10 vjet ka arritur të ngrejë një digë serioze që kulmoi me krijimin e një diktature të vërtetë në ushtrimin e pushtetit. Rama nga dita në ditë e ka mbushur këtë digë në radhë të parë me varfërimin e shqiptarëve, ai ka përdorur eskavatorët e korrupsionit siç janë konçesionet, PPP-t, ngritja pa tavan e vlerave dhe çmimeve nëpër tendera duke kapur “Everestin”. Pastaj në mbushjen e digës të së keqes vijnë pafund vjedhjet e përditshme nga taksat e panumërta dhe industria e gjobave. Të gjitha sëbashku kanë krijuar një aliazh të fortë që gjymton jetën e të gjitha moshave dhe që jep pasojat katastrofike në shpopullimim e vendit.
Në orët e përditshme të jetës, shqiptarët ndiejnë gjithashtu manipulimin dhe gënjeshtrën nga qeveria përmes falsifikimeve mediatike dhe veçanërisht dhunën në gjuhën e Kryeministrit. Ky i fundit i fokusuar në një aktivitet të vërtetë inkurajues të krimit pa ndëshkim është bërë një aset i zi i kësaj dige diktatoriale.
Shqipëria në të gjithë klasifikimet botërore është në fund dhe e mbushur me skandale. Këto dhe shumë materiale që e bëjnë jetën tonë njerzore të dhimbshme përpiqen të vrasin shpresën. Por shpresa duhet mbrojtur, duhen ushqyer.
Protesta është një nga mjetet e mëdha motorike për ta ushqyer shpresën, por mbi të gjitha protesta ka fuqinë goditëse për ta çarë digën e së keqe që ka ngritur dhe që përbën diktaturën e Ramës.
Protesta e 12 Nëntorit është në kohën e duhur, është në unison me dhimbjen dhe thirrjen e vullnetit mbarë kombëtar. Thirrjen për protestë e bën sot i madh dhe i vogël. Protesta e 12 Nëntorit nuk është e radhës, është e nevojës urgjente, e pandalshme dhe si e tillë ajo do ta çajë digën diktatoriale të varfërisë, të korrupsionit, të tradhëtisë dhe gjithçkaje të zezë që është përdorur për ta zhbërë këtë popull dhe këtë vend.

SHKARKO APP