KLGJ cakton vetë pagën e gjyqtarëve! Rroga referuese 65.600 lekë më shumë, rritja reale disafish
Këshilli i Lartë Gjyqësor vendosi me 9 vota pro dhe asnjë kundër që, nga 1 gushti 2026, paga referuese e gjyqtarëve të rritet nga 156.800 në 222.425 lekë. Mbi këtë shumë do të vijojë të aplikohet edhe shtesa prej 14.000 lekësh për nivelin e kualifikimit. Vendimi vjen pas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese në shkurt 2026, e cila rrëzoi formulën e vitit 2023 që e lidhte pagën e magjistratëve me 36% të pagës së Presidentit, duke e konsideruar atë një “ulje të fshehtë” të pagës. Kushtetuesja i la Kuvendit afat deri më 31 korrik për të miratuar një formulë të re, por parlamenti vetëm depozitoi një projektligj, pa e miratuar atë brenda afatit.
Në kushtet e mungesës së një baze të re ligjore për pagat nga 1 gushti, KLGJ vendosi të ndërhyjë duke iu referuar formulës së mëparshme ligjore, me argumentin se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është detyrues dhe mosveprimi i Kuvendit krijonte një situatë antikushtetuese. Rritja pritet të sjellë efekte të ndjeshme financiare, veçanërisht për gjyqtarët e Gjykatës së Lartë dhe strukturave të posaçme. KLGJ ka pranuar gjithashtu që formula e re të përdoret për përllogaritjen e detyrimeve të prapambetura për periudhën 1 prill 2023-31 korrik 2026.
Ndërkohë, një projektligj i depozituar nga dy deputetë të PS-së propozon një formulë të re, me rritjen e koeficientit nga 0.36 në 0.38 të pagës së Presidentit, si dhe ndryshime në shtesat për funksionin e gjyqtarëve të lartë dhe Prokurorit të Përgjithshëm. Projektligji pritet të ketë edhe kosto të konsiderueshme financiare dhe miratimi i tij do të varet nga qeveria.
KOHA JONË SONDAZH

