Klinton kurorëzohet President në ditëlindjen e gjuhës së shkruar shqipe
Nga Azgan Haklaj*/E nderuar znj. Hillari Klinton, mike e shquar e Kombit Shqiptar! Nëntori është muaji i bekuar i shqiptarëve, por tani do të jetë i bekuar edhe për ju , për Amerikën, demokracinë, paqen dhe prosperitetin e kombeve të lira dhe demokratike.
Znj. Klinton,
Më 28 nëntor 1443 heroi ynë Kombëtar Gjergj Kastrioti atleti i Krishtërimit dhe mbrojtësi i qytetërimit europian shpalosi në Krujë flamurin e lirisë.
Më 28 Nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë pas 5 shekujsh pushtimi osman.
Më 28 Nëntor 1944 Shqipëria u çlirua nga nazistët gjermanë.
Sot është një ditë e shënuar për shqiptarët dhe për të gjithë luftëtarët dhe disidentët antikomunistë në mbarë botën.
38 klerikë katolikë te vrarë barbarisht nga diktatura komuniste do të lumturohen nga Ati i Shenjtë Papa Françesku. Ata u sakrifikuan për vlerat më të larta të humanizmit, të besimit tek liria dhe vlerat e saj.
Përballë togave të pushkatimit ata shqiptuan me krenari fjalët:
Rroftë Shqipëria dhe Krishti Mbret dhe ashtu si Jezusi 2000 vjet më parë deklaruan se janë te pafajshëm dhe i falin persekutorët e tyre.
Shpirtrat e tyre ashtu si dhe shpirti i Shën Terezës luten për Amerikën dhe fitoren tuaj sepse askush si një grua dhe një nënë nuk mund t’i ndiej dhembjet e botës.
Zonja Klinton:
Para 2200 vjetësh ne kishim një mbretëreshë me emrin Teuta.
Ajo i udhëhoqi me lavdi paraardhësit tanë Ilirë dhe sot qindra vajza shqiptare mbajnë me krenari emrin e saj.
Ky është një motiv më i madh për të besuar tek ju ashtu siç besoj Anglia tek mbretëresha Viktoria siç besoj India, Atdheu i Budës tek Indira Gandi, Argjentina tek Huanita Peron, Gjermania tek Anxhela Merkel.
Poeti Kombëtar i shqiptarëve Ndre Mjeda në vitin 1907 i drejtohej Kombit tuaj fisnik me vargun lapidar;
Lirinë keni ju, ne hekurat kemi.
Bilbili i gjuhës shqipe Naim Frashëri duke evokuar vlerat e perëndimit, të cilit ne si komb i përkasim prej mijëra vitesh shprehej me vargjet davidjane;
Dielli lind nga perëndon.
Ky është lajtmotivi i shqiptarëve dhe orientimi i tyre shpirtëror dhe politik në mijëvjeçarin e Ri.
10 milionë shqiptarë të Ballkanit dhe komuniteti shqiptaro-amerikan dhe shqiptarët kudo në botë luten dhe besojnë tek fitorja juaj në zgjedhjet e 8 Nëntorit.
Xhorxh Uashingtoni, themeluesi i SHBA-ve dhe heroi Juaj Kombëtar kishte në damarët e tij gjak shqiptar nga nëna e tij bija e Kosovës
Marije Balaj. Ne krenohemi me emrin e saj ashtu siç krenohemi me bijën tjetër shqiptare Shën Helenën, nënën e Kostandinit të Madh, i cili certifikoi krishtërimin si fe zyrtare të Perandorisë Romake.
Ne krenohemi me Shën Jeronimin përkthyesin e parë të biblës në gjuhën latine, me Papa Klementin e 11-të Albani dhe me Niketë Dardanin autorin e himnit të famshëm të Krishtërimit (Te-Deum,)
Ne shqiptarët si komb i lashtë e fisnik që përkujtojmë 800 -vjetorin e shtetit të Arbrit na bashkon me Amerikën ëndrra e lirisë.
Ne ndajmë me Ju vlerat më të larta qytetare njerëzore dhe humane, tolerancën fetare, përkujdesjen ndaj familjes e njerëzve në nevojë besimin tek Zoti dhe tek një e ardhme më e sigurt për të gjitha kombet demokratike, të cilat kanë në themelin e tyre shtetin e së drejtës liritë dhe të drejtat njerëzore.
Martin Luter King i famshëm thoshte unë kam një ëndërr, ju jeni pjesë e ëndrrës së tij që Amerika të ketë për herë të parë një presidente grua.
Zoti e bekoftë fitoren tuaj dhe ju ndriçoftë rrugën për ta drejtuar Amerikën dhe botën mbarë në rrugën e lirisë paqes e progresit!
Ju kurorëzoheni Presidente pikërisht në ditëlindjen e gjuhës së shkruar shqipe.
Më dt. 8 Nëntor 1462, prelati Pal Ëngjëlli shkroi formulën e pagëzimit.
“Unë të pagëzoj në emër të Atit e të Birit e të Shpirtit të Shenjtë”.
Znj. Presidente mirë se vini në Shqipëri
Unioni Artistik i Kombit Shqiptar do ju presë me këngët dhe vallet mahnitëse, të cilat i kemi ruajtur me fanatizëm prej shekujsh e mijëvjeçaresh sepse ne të drejtën tonë zakonore të njohur si Kanuni i Princ Lekë Dukagjinit thuhet:
“Shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe e mikut.
Ju jeni tashmë jo vetëm mikja, por motra e shqiptarëve kudo në botë që kur shqiptuat në Parlamentin e Shqipërisë shprehjen historike:
Amerika ka qenë me ju në 100 vjetët e fundit dhe do të jetë me ju edhe për 1000 vitet e ardhshme.
Presidentët Uillson, Klinton dhe Ju si Presidente e re e SHBA –ve, jeni të gdhendur përjetësisht në shpirtin dhe zemrat e shqiptarëve.
Mbeteni trinia e shenjtë e Kombit shqiptar.
*Mjeshtër i madh, ish- deputete i Kuvendit të Shqipërisë President i Unionit Artistik i Kombit Shqiptar
KOHA JONË SONDAZH

