Kryeministri Edi Rama ka reaguar me tone të ashpra ndaj gazetarit irlandez Chay Bowes që e cilëson si pjesë të propagandës ruse, duke deklaruar se ai është sanksionuar nga Bashkimi Evropian për lidhjet e tij me Rusinë. Në reagimin e tij, Rama përdor një gjuhë ironike dhe kritike, duke e quajtur personin në fjalë “klloun të propagandës ruse” dhe duke pretenduar se ai paguhet nga Rusia.
“Një klloun i propagandës ruse, i cili u sanksionua sot nga Bashkimi Evropian, pikërisht sepse është një klloun i paguar nga Rusia”, shprehet kryeministri. Rama ngre gjithashtu pyetjen se përse Shqipëria është vënë në shënjestër, duke e lidhur këtë me përparimin e vendit drejt integrimit evropian.
”Dhe një klloun i propagandës ruse, i cili u sanksionua sot nga Bashkimi Evropian, pikërisht sepse është një klloun i paguar nga Rusia. Por pse Shqipëria? Sepse Shqipëria ka përparuar shumë me ngritjen e saj dhe afrimin e shpejtë drejt objektivit historik: Anëtarësimit në Bashkimin Evropian”,-shkruan Rama.
Rama ka publikuar edhe dy postime të Bowes, ku ky i fundit ka shpërndarë pamje nga protestat në Tiranë. Në njërin prej tyre, komentuesi shkruan për situatën në kryeqytet, se studentët u kanë vënë zjarrin ministrive dhe bankave, ndërsa mijëra qytetarë kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit.

