Klosi: 200 mijë punetorë të deklaruar me shumë në skemë

Me plotë 200 mijë persona të deklaruar të punësuar është rritur skema e pensioneve në vetëm 2 vitet e fundit. Këtë fakt e ka bërë të ditur ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar të Punës, ku u diskutua për rezultatet e luftimit të punës në të zezë, si dhe për projektligjin e ndërmarrjeve sociale dhe riintegrimin social. “Në vitin 2014 ishin 400 mijë të punësuar, ndërsa në 2016 janë 600 mijë të punësuar të deklaruar. A janë të gjitha vende të reja pune, natyrisht që s’janë të gjitha vende të reja pune, por janë edhe legalizim i punës së zezë dhe një përpjekje e përbashkët për punësim”, – tha ministri Klosi, duke bërë të ditur në të njëjtën kohë se vetëm në 5 muajt e fundit, falë aksionit kundër informalitetit, skema u rrit me 100 mijë persona.

Gjithashtu, ministri Klosi evidentoi edhe një herë faktin se si nga kontaktet direkte me biznesin, ashtu edhe nga të dhënat e zyrave të Punës rezulton se ka kërkesë të vazhdueshme për punëtorë dhe jo vetëm në ndërmarrjet e fasonerisë. “Dhe në këtë biznes ka shumë nevojë edhe për punëtorë; në këtë biznes ka nevojë për njerëz të kualifikuar, ka nevojë jo vetëm për punëtorë të fasonerisë që shkojnë për pagën e ulët, por ka nevojë edhe për menaxherë shitjesh, marketingu, biokimistë, laborantë etj. Pra kemi një biznes që ka standarde në investim, është në ekspansion jo vetëm në Shqipëri por edhe në rajon për produktin e tij, mirëpo ka vështirësi që të gjejë punëtorë të kualifikuar, ka vështirësi të gjejë edhe njerëz me diploma që ekuivalentohen në tregun e punës”, – tha ministri Blendi Klosi. Më tej ai theksoi se zgjidhja e situatës, përveç shtimit të përpjekjeve të zyrave të Punës për të ndërmjetësuar dhe kontaktuar punëdhënësit dhe punëmarrësit, është edhe arsimi profesional. “Shqipëria ka punë, Shqipëria ka nevojë për profesionistë. Kjo nuk është një bindje e imja personale dhe vetëm nga të dhënat e zyrave të Punës, por është një bindje që vjen nga vetë diskutimi me komunitetin e biznesit. Ne kemi një zgjidhje dhe ajo është arsimi profesional, kualifikimi i punëtorëve në vendin tonë”, – tha Klosi. Edhe gjatë kësaj mbledhjeje, kërkesa për punë është konfirmuar edhe nga përfaqësuesit e biznesit të përfaqësuar në Këshill, të cilët deklaruan se kërkohet një politikë më e drejtpërdrejtë në favor të nxitjes së të rinjve drejt shkollave dhe qendrave të formimit profesional, në mënyrë që krahu i punës të kualifikohet. Agim Rapaj, përfaqësues i biznesit, duke folur për situatën në sektorin e bujqësisë, evidentoi se aktualisht ka ndërmarrje bujqësore që kanë futur një teknologji të lartë teknike, por për të cilat nuk ka profesionistë për t’i përdorur. Ndërkohë që kreu i Sindikatës së Punëtorëve, Gëzim Kalaja falënderoi ministrin Klosi për rolin që luajti në zgjidhjen e çështjes së 300 minatorëve dhe familjeve të Fushë-Arrëzit. Gjatë këtij takimi u prezantua edhe projektligji për Ndërmarrjet Sociale dhe u diskutua për dokumentin e politikave të riintegrimit social.

SHKARKO APP