Klosi dhe Mazniku inspektojnë landfillin e Sharrës: Ndryshim rrënjësor, eliminuam ndotjen
Nga një aktivitet i cili ishte “armik” i natyrës dhe një njollë e zezë e kryeqytetit, Landfilli i Sharrës është shndërruar totalisht duke u kthyer në aleatin kryesor të mjedisit.
Tashmë zona e trajtimit të mbetjeve në kryeqytet është e vështirë për ta dalluar se bëhet fjalë për një landfill ku grumbullohen mbeturinat e qytetit apo një park i gjelbër.
Në Ditën Ndërkombëtare të Mjedisit, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe Nënkryetari i Bashkisë Arbjan Mazniku inspektuan sot këtë landfill prej ku theksuan se falë politikave të duhura janë shndërruar edhe këto pika të nxehta që kanë qenë problematike për vite me radhë. ““Sot është 5 qershor, dita ndërkombëtare e mjedisit dhe s’besoj ka ndonjë ditë më të përshtatshme se kjo për të parë një vepër të madhe publike, e cila është tashmë jo vetëm në Tiranë, por është e pasqyruar dhe në Elbasan dhe në Fier.
Por ajo çfarë shikojmë këtu në landfillin e Sharrës e që sot shikojmë në këto investime të mëdha publike që janë bërë në vendin tonë është se me pak punë, por me shumë dëshirë dhe kontribut ne mund të transformojmë hotspote si ai i landfillit të Sharrës që për të gjithë ne që jemi marrë me administrim, që jemi marrë me politikë po të doni ka qenë një nga turpet më të mëdha të Shqipërisë”, tha Klosi.
Ministri Klosi nënvizoi se projekti i inceneratorit të madh do të trajtojë mbetjet urbane. “Nga një vend, i cili ka qenë turpi i Shqipërisë tani është shndërruar në një park të qytetit, janë shtruar në zona të gjelbra dhe zona tashmë edhe të mirëadministruara për ti lënë vendin pastaj një inceneratori të madh, i cili do të trajtojë mbetjet urbane të gjithë Shqipërisë së mesme. Është në investim i madh publik, i cili do të duhet të shikohet me sy dhe prandaj kemi ftuar kaq shumë media sot për të parë një transformim real të asaj luftës tonë të madhe për një Shqipëri të pastër. Nga ky moment mund të themi që kemi një mushkri të gjelbër për qytetin tonë”, theksoi Klosi.
Nënkryetari Mazniku deklaroi se ndryshimi tashmë është rrënjësor dhe kjo zgjidhje ka eliminuar jo vetëm ndotjen, por ka siguruar edhe një menaxhim të integruar të mbetjeve. “Unë besoj që në një situatë të shkurtër, unë jam i sigurt që secila prej mediave ka në arkivën e tyre imazhe se si ishte Sharra pak vite më parë, një plagë e hapur e cila në mënyrë sistematike, mund të themi që siç një plagë e infektuar rrjedh qelb, ashtu edhe deri diku ashtu edhe Sharra rridhte pisllëk, tymra në gjithë qytetin, veçanërisht në zonat urbane. Çdo njeri mund të dallojë një ndryshim rrënjësor, një zgjidhje për qytetin dhe duke eliminuar në mënyrë sistematike jo vetëm ndotjen por duke siguruar edhe një menaxhim të integruar të mbetjeve të qytetit më të madh të gjithë Shqipërisë. Unë besoj që tashmë mund të shihet qartësisht ndryshimi”, deklaroi Mazniku.