Klosi: Jo më zanate të pacertifikuara nga biznesi

Dhoma e Koblenzit në Gjermani dhe “BiznesAlbania” kanë nisur sot zbatimin e projektit pilot mbi praktikat për nxënësit e arsimit profesional në shkollën e mesme të ndërtimit “Karl Gega” dhe në atë të Hoteleri-Turizmit në Tiranë. Nxënësit e këtyre shkollave do të mbështeten për të bërë praktikën te bizneset sipas profileve përkatëse, ndërsa Dhoma e Koblenzit do të japë asistencë dhe konsulencë për partnerët gjatë kohëzgjatjes së projektit, si dhe do të bëjë përgatitjen pedagogjike të trajnuesve nëpër biznese në një workshop pedagogjik, bazuar në përgatitjen e “Mjeshtrit” në Gjermani. Në ceremoninë e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje bashkëpunimi ishin të pranishëm ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, ambasadori gjerman në vendin tonë, Helmut Hoffman, drejtues të arsimit profesional, si dhe përfaqësues të biznesit që bashkëpunojnë me MMSR-së në zhvillimin e Arsimit Profesional në vendin tonë.

Në fjalën e tij të rastit, ministri i MSR-së, Blendi Klosi theksoi se qeveria po përpiqet shumë, së bashku me partnerët ndërkombëtarë, që Arsimi Profesional të mos shihet vetëm si një edukim, por të kthehet në një mekanizëm shumë të rëndësishëm në jetën ekonomike të vendit. “Ne kemi besim, kemi bindjen dhe gjithë treguesit se Shqipëria mund të ndryshojë, ekonomia e vendit, biznesi në Shqipëri mund të ndryshojnë, mundësitë për punë mund të ndryshojnë, nëse zgjedhin shumë më shumë arsimin profesional”, – tha ministri Klosi në fjalën e tij.

Ai edhe një herë evidentoi faktin se është e vërtetuar nga statistikat zyrtare se ata që ndjekin arsimin profesional kanë shumë më shumë mundësi për të gjetur menjëherë një punë. “Ne, prej një viti e gjysmë po aplikojmë një mekanizëm të ri, ku në drejtimin e shkollave tona, siç është edhe rasti i shkoklës ‘Karl Gega’ dhe i Hoteleri –Turizmit’, kanë ardhur tashmë përfaqësues të biznesit dhe realisht shkollat kanë në bordet e tyre edhe biznesmenë, të cilët e njohin mirë kërkesën e tregut, e njohin mirë se çfarë duhet të kenë për kualifikim nxënësit; e njohin mirë se çfarë duhet që nxënësit të prodhojnë kur ata të mbarojnë shkollat. Dhe ne sot kemi shkolla ku kemi një numër më të madh të nxënësve të punesuar që sa mbarojnë shkollë, pra shkolla që prodhojnë kuadro të gatshëm për tregun e punës, dhe kjo falë një lidhjeje më të mirë mes biznesit dhe kurrikulës së shkollës”, – shtoi ministri Klosi.

Ndaj, ai ka shtuar se edhe për vendin tonë ka ardhur koha që të bëjë atë që gjermanët, zviceranët dhe Evropa bënë prej dhjetëra vitesh, pra shtimin e vëmendjes ndaj arsimit profesional. “Në Gjermani, 70-75 për qind e nxënësve që zgjedhin shkollimin e mesëm, shkojnë në arsimin profesional, ndërsa ne jemi në shifrat 16-17 për qind. Pra, disa herë më pak sesa gjermanët apo zviceranët. Kjo do të thotë se ata e kuptojnë që nëpërmjet arsimit profesional, njerëzit marrin disa aftësi dhe mundësi më shumë, marrin një zanat që i ndihmon ata në jetë. Kjo ndihmon ekonominë e vendit, i ndihmon ata që të jenë aty ku janë edhe për këtë arsye. Prandaj, përpjekja jonë për të dyfishuar numrin e nxënësve që marrin arsim profesional në Shqipëri është një përpjekje, për të cilën ne nuk do të lodhemi çdo ditë për ta realizuar”, – deklaroi Klosi.

Gjithsesi, ai theksoi se sistemi ynë i Arsimit Profesional është ende larg atij sistemi që zbatojnë sot vende si Gjermania dhe Zvicra, të cilat i ka marrë edhe si shembull për të implementuar. “Jemi larg realizimit të sistemit dual gjerman, por ne kemi filluar ta kuptojmë atë dhe ta dëshirojmë atë; kjo është mbase shumë e rëndësishme në fazën në të cilën ndodhemi. Ne flasim kaq shumë për arsimin gjerman, por shkollat tona janë larg sistemit dual gjerman. Shkollat tona e kanë dimensionin e lidhjes me biznesin akoma shumë të ngurtë. Dhe porosia që jap edhe nga ky moment vazhdon që të jetë forcimi i raportit me biznesin. Arsimi profesional në Shqipëri mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse elementet e lidhjes trekëndore: arsim profesional-komunitet-biznes- tregu i punës do jenë të bashkërenduara”, – theksoi Klosi.

Ndaj për këtë qëllim, ai theksoi se në qendrat tona të formimit profesional nuk do të ketë më kurse të pacertifikuara nga biznesi lokal. “Në shkollat tona nuk do ketë më asnjë kurs që vjen si dëshirë apo ndjesi e drejtorit të shkollës. Çdo kurs që do bëhet, çdo librezë që do merret, çdo certifikatë që do lëshohet do jetë në rakordim me botën e biznesit të zonës ku shkolla funksionon”, – u shpreh Klosi.

SHKARKO APP