Klosi: Kontrolle të rrepta për sigurinë në plazhe, det dhe ndotjen akustike
Ministri Blendi Klosi premtoi tolerancë zero ndaj të gjithë subjekteve që nuk do të respektojnë ligjet dhe do të cënojnë mbarëvajtjen e sezonit turistik.
Gjatë takimit të Komitetit Rajonal të Turizmit në qarkun e Durrësit, plazhet e të cilit janë nën patronazhin e katër ministrave të qeverisë; ministrit Klosi, Peleshi, Majko dhe Gjonaj.
Klosi tha se prej datës 1 korrik nuk do të ketë asnjë tolerancë apo negocim për ata që shkelin zonat e përcaktuara për mjetet lundruese, për subjektet që nuk kanë rojet e plazhit por edhe për lokalet, apo baret që shkaktojnë ndotje akustike dhe shkelin rregullat e vendosura nga bashkia.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u ndal në 3 detyrat kryesore të institucioneve të angazhuara në mbarëvajtjen e sezonit turistik; garantimi maksimal i pastërtisë, siguria në plazhe dhe rritja e standarteve të mikpritjes.
Nga ana tjetër, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi theksoi se sfida e këtij sezoni është siguria ushqimore për të cilën kreu i bujqësisë tha se është forcuar inspektimi, i paraprirë nga vetkontrolli i subjekteve. Ndërsa Ministri Majko kërkoi nga Task forca e turizmit që të merren të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë pa shqetësuar turistët vendas dhe të huaj.
KOHA JONË SONDAZH

