Klosi: Opozita e destinuar të humbasë, ne nuk jemi në luftë. Ne kemi aleancë me qytetarët

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi është i besimit se brenda kësaj force politike nuk ka një luftë të brendshme. Kjo duke e quajtur ndryshe si konkurrencë që i shërben gjithsecilit për të bërë më të mirën gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare të 11 Majit. Për të në këtë fushatë ata kanë zgjedhur të jenë të vetëm në betejën për një tjetër mandat zgjedhor. Opozita për të e ka humbur sensin e të fituarit në zgjedhje. Thekson faktin se Partia Demokratike ka përfunduar në fraksione, përforcon idenë se opozita është e shpërndarë dhe s’mund t’i besohet.

”Mendoj që nuk është e drejtë fjala luftë, është konkurrencë dhe është konkurrencë krejt e pranueshme, krejt normale. Janë 40 ditë garë dhe gara është me Partinë Demokratike, me opozitën. Natyrisht gara jonë është një garë që ne e kemi përcaktuar nga 2017-ta që të jemi të vetëm në listë.

Jemi në aleancë vetëm me qytetarët, jo me parti të tjera dhe prandaj, qartazi në këtë fushatë, jemi përballë të gjithë kampeve të tjera, opozitave të reja apo opozitave të vjetra. Ka një konkurrencë të ndershme brenda kampit socialist, gjë që po të shikosh në krahun tjetër nuk shikon.

Pra është e vështirë të shikosh figura të spikatura të garës së Partisë Demokratike në gjithë Shqipërinë në qarqet e caktuara, në Tiranë që është dhe beteja kryesore. Vështirë se gjen figura që kanë, le të themi, reputacion lokal apo që kanë një zë le të themi të njohur në publik, emra që njerëzit mund t’i referohen, votuesit e të djathtës mund t’i referohen.

Pra mungesa e këtij lloj konkurrimi të brendshëm dhe pozitiv do të ndikojë dhe kjo në rezultatin maksimal të votave të Partisë Socialiste në qarqe, por dhe në një mangësi të kampit opozitar që përsëri nuk ia doli që të dilte mbi ato le të themi konjukturat e tyre të brendshme”,-tha Klosi.

SHKARKO APP