Klosi paralajmëron bizneset: Kujdes me gjobat! Mos derdhni ujërat e zeza në det

Nga 1 qershori i ketij viti  çdo hotel dhe biznes që derdh ujërat e zeza në det do të mbyllet- deklaroi Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi, në ceremoninë e hapjes së Panairit të dytë Mesdhetar të Turizmit në Tiranë.

Ministri Klosi paralajmëroi se nuk nuk do lejohen më zhumat në plazhe dhe se do të ndëshkohen të gjitha ata që ndotin mjedisin, qofshin këta individë apo biznese. subjektet dhe pushteti lokal duhet të marrin të gjitha masat për të mos pasur më plazhe të pista. Siguria në plazhe është gjithashtu një detyrim I subjekteve që këtë sezon turistik nuk do të tolerohet. Kreu i Turizmit dhe Mjedisit tha se duhet punuar për një turizëm afatgjatë, një industri që përvec politikave fiskale duhet të mbështetet edhe në elimiminin e shumë problematikave që prej 27 vitesh kanë shkatërruar imazhin  e Shqipërisë turistike.

Krahas masave për një sezon më të mirë turistik ministri Klosi foli edhe për risinë e këtij viti, projektin “Smile Albania” i cili do të angazhojë 1 mijë të rinj në promovimin e Shqipërisë turistike.

Swiss Digital Desktop Reklama

Kryeministri i vendit, Z. Edi Rama në fjalën e tij u shpreh se kërkesa është më e lartë se oferta, dhe se sfida e qeverisë është pikërisht rritja e ofertës. Kryeministri përforcoi apelin e ministrit Klosi për mbylljen e të gjitha strukturave pritëse që shkarkojnë ujërat e zeza në det. Më tej  kryeministri Rama theksoi se  agroturizimi,  është një nga prioritetet  e qeverisë , pasi është rrugëdalje nga varfëria dhe papunësia.

Swiss Digital Mobile Reklama

I pranishëm në hapjen e Panairit të Dytë Mesdhetar të Turizmit ishte edhe minisitri i Bujqësisë Niko Peleshi i cili shtoi  se do të mbështeten punishtet, por edhe festat lokale për një turizëm gjatë gjithë vitit.

 

Fjala e plotë e ministrit Klosi në Panairi Mesdhetar i Turizmit

65 mijë më shumë turistë kanë ardhur në Shqipëri, tre muajët e parë të 2018-ës, krahasuar me vetëm një vit më parë. Rritja me 12.5 përqind e turizmit në Shqipëri brenda harkut kohor të një viti, është një lajm shumë i mirë për shqiptarët, për biznesin vendas, për ekonominë  tonë, sepse e kam thënë shpesh dhe e përsëris: turizmi është ndikues i drejtëpërdrejtë në jetën e qytetarëve, në mirëqënien e tyre. Turizmi është para’, është punësim. Thënë këtë, nuk dua  të jap mesazhin e entuziastit apo euforistit, që në raste të tjera do të ishte legjitim. JO. Si drejtues i dikasterit dedikuar turizmit, për ne është përgjegjësi më e fortë, angazhim më i madh, është detyrim i rritur për të mirë-menaxhuar interesin  gjithmonë e më të lartë të turistëve të huaj drejt Shqipërisë.

Këto janë ditët e startit për dhjetra sipërmarrës hotelesh e restorantesh, baresh e plazhesh, tur-operatorësh, guida turistike, urrëfyes e çdokënd të angazhuar në fushën e turizmit.

Ndaj përpos mundësive të tjera që ju ofron ky panair aktorëve të sektorit, për të ekspozuar, takuar, shkëmbyer përvojat dhe nevojat,  KY PANAIR është edhe mundësi për të qenë të gjithë bashkë përpara sezonit turistik të verës. Ndaj  mirë se keni ardhur në Panairin e  Dytë Mesdhetar të Turizmit në Tiranë.

Për shkak të potencialeve të mëdha që bujaria e Zotit apo natyrës i ka dhënë Shqipërisë, në vitet e gjata të tranzicionit, turizmi pati zhvillimin e tij, herë më të vrullshëm, hërë në stanjacion, e herë të frenuar, por gjithsesi ka ecur drejt rritjes.  Por, në këtë rritje ka munguar disiplinimi dhe harmonizimi. Eshtë tamam si ajo orkestra që edhe nëse secili muzikant luan pjesën e tij shkëlqyeshëm, muzika nuk do të jetë e tillë nëse mungon harmonizmi në të njëjtën partiturë.

Partitura jonë e përbashkët, është qëllimi madhor i ndërtimit të një industrie turistike afatgjatë. Duhet të jemi të qartë:  të ndahemi nga epoka ku sektori privat turistik është munduar të tërheqë turistë në konkurrencën gjithmonë e më të egër globale, dhe sezon pas sezoni ti kenaqet asaj që iku me frikën e asaj që vjen sezonin tjetër.  Për shkak të gjithë  imazhit të ndryshuar të Shqipërisë vitet e fundit, kemi siguruar turistët, por ende nuk kemi garantuar turizmin. Ne duhet të jemi të qartë, në fillimin e një epoke të re, së pari në mendësi. Nëse duam të shkojmë larg, duhet të mendojmë përtej sezonit tjetër.

Nëse duam të shkojmë larg, duhet të ngremë një industri që prodhon të ardhura, mirëqënie, punësim për qytetarët në mënyrë afatgjatë. Dhe ne do të kemi ngritur këtë industri, kur të mos flasim më për sezone turistike, por për turizëm 12 mujor.

Duhet të vemë rregull në tregun aktual të zhvillimit turistik, ku secili nga sektori privat është munduar të bëjë më mirë pjesën e tij, por sistemi në tërësi mbetet ende problematik. Ndaj bashkë me autokritikën, bashkë me masat e rëndësishme që kemi ndërrmarrë së fundmi për afrimin e brendeve të rëndësishme për hotele dhe resorte me 4 dhe 5 yje në Shqipëri, për inventarizimin e tokave në bregdet, politika nxitëse për turizmin dhe agroturizmin, ne na duhet të veprojmë me urgjencë,  në sistemimin e fenomeneve që na kanë dëmtuar në imazhin turistik të vendit.

Ka bare dhe restorante shumë të bukura në bregdet, por që funksionojnë mbi një parim: muzikë e volumit të lartë 24 orë të ditënatës, pa u shqetësuar nëse përreth ka familjarë, ka pushues që përpos plazhit duan edhe qetësinë. Është një nga fenomenet që nuk duhet të përsëritet dhe nuk do të përsëritet këtë sezon veror. Nuk duhet ta kuptojë dhe besojë asnjë, se si të gjitha rregullat që nisin dhe devijojnë rrugës, edhe ky do të jetë i tillë dhe ‘Hajd se e zbatojmë në fillim të korrikut dhe e harrojmë në mes të gushtit’. 27 vjet demokraci,  ne akoma kemi të trashëguar, dhe konsoliduar madje, fenomemin më të shëmtuar se nuk di sa epitete të tjera mund të kishte:  derdhjen e ujërave të zeza apo ujërave të ndotur në lumenj dhe në dete. Këtij fenomeni i ka ardhur ora të marrë fund njëhërë e përgjithmonë.

Ndaj përpos rrugëve të tjera të komunikimeve zyrtare, gjej rastin tu riapeloj bisnesit të hoteleve, restorante, bareve apo cdo investimi tjetër; Nisni zbatimin e LEJES MJEDISORE, që do të thotë:  merrni masa për trajtimin e ujërave të ndotur për të vijuar të punoni në investimin tuaj. Pas datës 1 qershor, të këtij viti, cdo bisnes, i madh apo i vogël,  me emër apo pa emër, i njohur apo i panjohur, nuk ka asnjë tolerim në respektimin e ligjit për të mos derdhur më ujëra të ndotur në lumenj dhe në dete.

Ccdo biznes që nuk ka marrë masa për depurimin e ujërave, që vazhdon dhe i derdh në det, pas 1 qershorit do të mbyllet. Nuk do të ketë asnjë tolerim, apo shtyrje afati.  Bashkë me inspektoriatin e mjedisit, policinë e shtetit, bashkitë, qytetarë të angazhuar në vullnetarizëm, por edhe me sektorin privat, ka nisur sipërmarrja e madhe për të mbajtur pastër plazhet, sensibilizuar, por edhe penalizuar hedhjen e mbeturinave jashtë vendeve të përcaktuara.

Biznesi duhet të garantojë infrastrukturën e plotë për vendin ku hidhen mbeturinat në plazhe, bashkitë duhet të jenë të fokusuara në këtë detyrim, sepse na duhet që për të ngritur këtë kulturë, të nisin penalizimet sic e përcakton ligji, edhe për vetë qytetarin apo pushuesin, që i është bërë shprehi sjellja ndaj ambjenteve të përbashkëta, që hajde se Shqipëri është dhe nuk u bë qameti se i hedhim mbeturinat edhe aty ku pushojmë.

Nuk do të tolerohet askush që bën pis vendin ku pushon, se të nesërmen nisë të ankohet për plazhe të pista.  Siguria në plazhe, është një nga gjërat që nuk do buxhet të papërballueshëm për tu garantuar. Ngritja e infrastrukturës për sigurinë në plazhe, për prezencën e njerëzve të trajnuar për të dhënë ndihmën pushuesve të rrezikuar, është detyrim i atij që i merr pagesën pushuesit për vendin që i ofron. Sepse një lajm për jetë të humbura në det, është edhe dëm i atij që ka investuar në këtë sektor.  Ndaj në gjithë vijën bregdetare, me këtë veshje, të dallueshëm nga pushuesit, do të jenë rojet bregdetare për të garantuar sigurinë në det.

Gjithë ccfarë thashë më sipër, nuk janë shfaqje të reja, janë gjëra që na kanë dëmtuar këto 27 vjet, të evidentuara, të diskutuara, të dënuara, por që fatkeqwsisht akoma egzistojnë.

Është koha që të mos i përsërisim më këtë sezon turistik këto fenomene, janë kundër gjithë përpjekjes sonë për të ngritur një turizëm afatgjat, për të ndërtuar industrinë që i jep arsyen përse një turist gjerman, italian, anglez, suedez, norvegjez, polak, ccek, amerikan, aziatik e më tej, pret biletën për në Rinas, dhe jo në Shkup, Podgoricë apo Zagreb.

Ne duhet t’i japim arsyen e turizmit me identitet shqiptar, me mikpritjen shqiptare, me traditën, historinë shqiptare, me gatimin vendas, me gjithkca na bën të veçantë, por jo të veçuar nga mendësia e një turizmi sot për sot.

Ne duhet ti tregojmë turistëve të huaj, se kanë të gjitha arsyet për të marrë atë që ju duhet nga një udhëtim, buzëqeshjen.

–       “Smile Albania” është gjithashtu risia e këtij viti. Në këtë projekt do të jenë edhe 1000 të rinj të angazhuar në promovimin e Shqipërisë turistike dhe sensibilizimin e turistëve, vendas vecanërisht, për mbajtjen pastër të ambjentit.

E thashë edhe në fillim, duhet të kuptojmë të gjithë se ne kemi siguruar turistët, por nuk kemi garantuar akoma turizmin.  Ky është momenti dhe janë të gjitha shanset që ky sektor të shndërrohet në industrinë afatgjatë që i sjell më shumë ekonomi dhe mirëqënie të gjithë qytetarëve. Nëse kuptojmë këtë, jemi në rrugën e mbarë, të gjithë që duam të zhvillojmë këtë vend, duke e lënë politikën e vjetër në atë që di të bëjë më mirë: bllokimin  e rrugëve.

Ne duhet të vazhdojmë me forcë përpjekjen për rrugë të sigurta për më  mirëqënie dhe punësim për qytetarët, duhet të vazhdojmë me më shumë forcë për tu dhënë turistëve të huaj edhe më shumë se 1 mijë arsye për të qenë të buzëqeshur dhe të kënaqur në Shqipëri.

Sezon të mbarë të gjithëve!

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?