Klosi: Skema e re, ul diferencën e pensioneve
Ministri i Mirëqënies Sociale, Blendi Klosi, në një deklaratë për mediat ka dhënë sqarime mbi skemën e sigurimeve shoqërore.
Në fjalën e tij, Klosi ka nënvizuar se, “përmes skemës do të ngushtohet diferenca e pensioneve e caktuar në vitet 94-96”.
“Skema e pensioneve kishte hyrë në një gjendje amullie dhe deri në vitin 2013 sistemi ishte në prag të falimentit”, ka deklaruar Klosi.
Duke theksuar se, numri i personave të siguruar ishte në nivele të papranueshme”, ministri ka shtuar se, “reformimi i skemës së sigurimeve suplementare do të unifikojë skemën urbane dhe atë rurale”.
***
VENDIMI
Këshilli i Ministrave, me propozimin e ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë miratoi dje disa ndryshime lidhur me ligjin e pensioneve. Ja cilat janë ato:
Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën 1.10.1993 deri në 31.12.1996, dhe që vazhdojnë të paguhen pas datës 31.3.2016, ndryshohen, si më poshtë vijon:
a) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1993 deri në 31.12.1993, me masë pensioni në këtë periudhë nga 1 401 lekë deri në 2 474 lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 085 lekë deri në 23 640 lekë në muaj;
b) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën 1.1.1994 deri në 30.9.1994, me masë pensioni në këtë periudhë, pas rillogaritjes, nga 2 175 lekë deri në 3 840 lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 088 lekë deri në 23 640 lekë në muaj;
c) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1994 deri në 30.4.1995, me masë pensioni në këtë periudhë, nga 2 492 lekë deri në 4 400 lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 087 lekë deri në 23 640 lekë në muaj;
ç) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.5.1995 deri në 30.9.1995, , nga 2 741 (dy mijë e shtatëqind e dyzet e një) lekë deri në 4 400 lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 086 lekë deri në 23 640 lekë në muaj;
d) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.10.1995 deri në 31.3.1996, nga 3 070 lekë deri në 5 420 lekë në muaj, shtohen me shuma fikse, duke arritur në masën 14 088 deri në 23 640 lekë në muaj;
dh) Pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara në periudhën nga 1.4.1996 deri në 31.12.1996, 5 420 lekë në muaj, shtohen me shumë fikse, duke arritur në masën 23 640 lekë në muaj.
Pensionet për vjetërsi shërbimi, kalojnë në masën 70% të pagës që i është llogaritur pensioni, por jo më shumë se kufiri maksimal i pensionit të pleqërisë, të caktuar në ligj, pavarësisht kohës kur kanë kaluar me 70% të pagës, përveç rritjeve dhe indeksimeve të zakonshme do të përfitojnë edhe rritjet e diferencuara që kanë përfituar të gjitha pensionet e plota të pleqërisë, të caktuara deri në datën 30.9.1993, në varësi të datës së fillimit të pensionit dhe masës së rivlerësuar këtij pensioni me 70% të pagës.
Pensionet e pleqërisë të punonjësve të nëntokës dhe ato të grave të punësuara në arsim dhe kulturë, kur llogariten si pensione të plota, pavarësisht kohës kur kanë kaluar si të tilla, përveç rritjeve dhe indeksimeve të zakonshme do të përfitojnë edhe rritjet e diferencuara që kanë përfituar të gjitha pensionet e plota të pleqërisë me datë fillimi në harkun kohor 1.1.1995 – 1.1.1997, përfshirë edhe rritjen e përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, në varësi të datës së fillimit të pensionit dhe masës së rivlerësuar si të plotë të këtij pensioni.
Efektet financiare që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, për vitin 2016, llogariten në shumën 324 100 000 lekë dhe përballohen nga rezultati pozitiv financiar i Institutit të Sigurimeve Shoqërore për vitin 2015.
Institutit të Sigurimeve Shoqërore, për përballimin e vëllimit të punës për zbatimin e këtij vendimi, t’i shtohet fondi prej 2 000 000 lekësh në planin e shpenzimeve administrative, i cili të përballohet brenda shpenzimeve të programuara për sigurimet shoqërore për vitin 2016.
KOHA JONË SONDAZH

