KLSH, si garant i parasë sonë
A nuk mund të korruptohet edhe KLSH, si shumë institucione të tjera në vendin tonë? Po të ishte kështu, ky institucion nuk do të nxirrte një herë në dy javë një njoftim për shtyp ku denoncon me qindra milionë lekë dëm të shkaktuar Shtetit dhe kallëzimet penale për abuzuesit dhe shpërdoruesit e parasë sonë
Nga Fatos Çoçoli
Janë disa institucione publike që në rolin e tyre duhet realisht t’i shohim si aleatë dhe në shërbim tonin si qytetarë. Të tilla janë banka qendrore, avokati i popullit, por edhe institucionet e kontrollit(auditimit) më të lartë të Shtetit. Shpenzimet e qeverisë sonë për një vit financiar i kalojnë të tre miliardë eurot. Ato duhen kontrolluar nga një sy i pavarur dhe profesional, pse shumica nxirren nga taksat që paguan biznesi dhe ne si qytetarë. Po ashtu dhe të ardhurat e Shtetit, që janë çdo vit 2.4 miliardë euro dhe që po shumica janë taksat që ne paguajmë.
Rolin e syrit të pavarur e profesional mbi gjithë këto të ardhura dhe shpenzime e luan Kontrolli i Lartë i Shtetit. Pa kontributin e tij, paratë tona si taksapagues do të ishin shumë më pak të sigurta. Përfytyroni një ndërmarrje të stërmadhe që mbledh para dhe harxhon pa hesap, dhe që ka si kontrollorë vetëm ata që i paguan vetë drejtori i saj. Kështu do të ishte ekonomia jonë publike pa KLSH. Ky institucion na jep sigurinë se paratë e mbledhura dhe ato të harxhuara në emër të Shtetit, kontrollohen si duhet, me profesionalizëm dhe ndershmëri.
Po pse na e jep këtë siguri? A nuk mund të korruptohet edhe KLSH, si shumë institucione të tjera në vendin tonë? Po të ishte kështu, ky institucion nuk do të nxirrte një herë në dy javë një njoftim për shtyp ku denoncon me qindra milionë lekë dëm të shkaktuar Shtetit dhe kallëzimet penale për abuzuesit dhe shpërdoruesit e parasë sonë. Nuk do të kishte çuar në Prokurori edhe një anëtar të kabinetit qeveritar. Nuk do të kishte denoncuar me qindra milionë euro dëme në AlbPetrol apo në marrëveshjen për zgjidhjen e kundërshtive me CEZ. Do të kishte ulur kokën, do të ishte bërë urë e atyre që do ta paguanin të mbyllte gojën. Duke u mjaftuar me njoftime të rralla bombastike për dëme hipotetike. Sikurse ndodhte rëndom 5 vite më parë.
Por vitet 2012-2016 na mësuan me një fytyrë të re të këtij institucioni themelor për përgjegjshmërinë publike me paratë e të gjithë neve. Me një personalitet kërkues llogarie deri në fund, këmbëngulës për të zbuluar të vërtetën e përdorimit apo keqpërdorimit të fondeve të Shtetit, pa u ndalur përpara asnjë “dore të fortë” apo influence superpolitikani. Kjo i dedikohet në radhë të parë personalitetit dhe punës së drejtuesit aktual të KLSH, pse, sikurse thotë populli, peshku qelbet nga koka. Nëse i pari i një institucioni publik thyhet, atëherë i gjithë institucioni bie në pellgun e korrupsionit apo pajtimit me realitetin e shëmtuar të mosluftimit të abuzimit publik. Në të kundërt, KLSH në pesë vitet e fundit ka kryer mbi 3.5 herë më shumë kallëzime penale se në pesë vitet 2007-2011, ose një kallëzim çdo dhjetë ditë. E gjithë kjo punë nuk është bërë yrysh, me hosanara, por duke u bazuar në standardet ndërkombëtare të auditimit publik, duke trajnuar çdo auditues gati një muaj çdo vit brenda dhe jashtë vendit. Ja përse në 90- vjetorin e institucionit në maj 2015, KLSH i erdhi Presidenti i KLSH-së europiane, Gjykatës Evropiane të Audituesve, Dr. Vitor Caldeira, që mund të thuhet pa frikë se është personaliteti i dytë më i madh në botën e auditimit më të lartë publik të sotëm. Ja perse personaliteti numër një, Gene L. Dodaro, Audituesi i Përgjithshëm i SHBA-ve, dërgoi një mesazh përshëndetjeje ku vlerësonte arritjet e institucionit. KLSH gëzon mbështetjen e plotë të Bashkimit Evropian dhe tani po zbaton një projekt binjakëzimi me vlerë 2.11 milionë euro nga fondet IPA të tij, për ngritjen e kapaciteteve audituese të institucionit. Autoriteti i KLSH është rritur në këta pesë vite si brenda dhe jashtë vendit. Brenda vendit arriti kulmin me miratimin nga Kuvendi të ligjit të ri integral të institucionit në nëntor 2014, tërësisht në linjë me standardet ndërkombëtare të fushës. Jashtë vendit puna dhe progresi i tij është njohur dhe vlerësuar nga personalitetet më të mëdha të auditimit suprem publik, si Dr. Josef Mozer, Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, organizatës mbarëbotërore të institucioneve më të larta të auditimit, që përfshin 191 vende anëtare, Jaçek Jezierski, ish-President i KLSH-së polake dhe i EUROSAI-t, etj. Me këtë autoritet të rritur, eksperiencë pune, por sidomos kurajë e vendosmëri për të qenë plotësisht i pavarur në auditimet dhe gjetjet e veta, Kontrolli i Lartë i Shtetit sot paraqitet si aleati ynë më i mirë, si qytetarë, në mbrojtje të taksave që paguajmë. Na takon jo vetëm ta njohim dhe vlerësojmë këtë institucion, por edhe ta mbështesim e inkurajojmë të «sulmojë gjithnjë qiejt », në emër të përdorimit të ndershëm, racional e me përgjegjshmëri të parasë publike, parasë sonë.
KOHA JONË SONDAZH

