Klubi shqiptar bën gjestin e madh, ofron të ardhurat nga biletat për të prekurit nga tërmeti
Shqipëria po vuan pasojat e atij tërmeti shkatërrimtar të 26 nëntorit, i cili mori jetën e 49 personave, 900 të plagosur dhe qindra familje i la në qiell të hapur. Solidariteti ka qënë i madh, sidomos në fushën e sportit.
Shkëndija e Tetovës, skuadra shqiptare që militon në kampionatin e Maqedonisë së Veriut ka qënë një prej ekipeve më aktive që ka kërkuar donacione për të qënë sa më pranë qytetarëve shqiptarë në këto ditë të vështira.
Diçka e tillë vihet re edhe në njoftimin e fundit, ku gjithë të ardhurat për sfidën mes Shkëndijës së Tetovës dhe Shkupit, e vlefshme për javën e 17-të të kampionatit të Maqedonisë së Veriut do të shkojnë si donacion për familjet e prekura nga tërmeti në Durrës dhe Thumanë.
“KF Shkëndija të dielën në kuadër të xhiros së 17-të përballet me Shkupin në Tetovë dhe kryesia vendos që të ardhurat nga shitja e biletave të bashkohen me donacionet e lojtarëve dhe kryesisë për familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri.
Në një javë më shumë emocionale të ndikuar nga fatkeqësia natyrore që goditi Shqipërinë, skuadra kuqezi vazhdon punën për sfidën e rradhës kampionale. E diela sjell xhiron e 17-të kur Shkëndija në Tetovë do të presë FC Shkupin në një takim ku kuqezinjtë kërkojnë të kthehen në rrugën e fitores. Përveç vlerës së pikëve në aspektin garues, takimi i të dielës është mundësi e mirë për bashkim të forcave bashkë me publikun në aksionin humanitarë për grumbullimin e mjeteve për familjet e goditura nga tërmeti në Shqipëri.
Me këtë rast inkurajohen gjithë qytetarët që të vijnë në numër sa më të madh në këtë ndeshje dhe me blerjen e biletës të bashkohen në këtë aksion humanitarë, pasi mjetet e grumbulluara do të bashkohen me donacionin e mbledhur nga lojtarët dhe kryesia e Shkëndijës, për tu adresuar të gjitha në zonat e prekura nga fatkeqësia në Durrës e rrethinë,” thuhet në njoftimin e Shkëndijës së Tetovës, ndërkohë që lojtari i kuqezinjve, Armend Alimi kërkon që stadiumi të jetë plot.
“Takimi me Shkupin ka rëndësi të madhe garuese për ne dhe të gjithë jemi të bindur të japim më të mirën për t’u kthyer në rrugën e fitores. Besojmë të jemi në nivel, ndërsa shpresojmë të kemi mbështetjen e publikut. Një arsye shtesë për prani sa më të madhe të spektatorëve është aksioni humanitarë për grumbullimin e mjeteve për të ndihmuar familjet e prekura nga tërmeti.”
Përballja Shkëndija-Shkupi luhet të dielën në stadiumin e qytetit në Tetovë me fillim në orën 13:00.