KMSH, organizon programin “Gruaja shqiptare ndër shekuj”

“Dua të theksoj faktin që Feja Islame, sikurse ndonjëherë padrejtësisht pretendohet, nuk e pengon gruan që të jetë pjesë aktive e jetës shoqërore, duke marrë përsipër të gjitha detyrat drejtuese që edhe burrat marrin. Madje Islami i inkurajon gratë, që në përshtatje edhe me natyrën, delikatesën dhe brishtësinë shpirtërore që i karakterizon, të luajnë rol sa më aktiv në zhvillimin e shoqërisë”, nënvizoi Zaimi. Ndërsa Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Nevila Xhindi, u shpreh se gruaja është një forcë e madhe e kombit dhe shoqërisë. Ajo gjithashtu vlerësoi Zyrën e Gruas në Komunitetin Mysliman për organizime të tilla të herëpashershme që, sipas saj, janë një kontribut i vyer në dëgjimin e zërit të femrës shqiptare. 

Programi u hap me këndimin e himnit kombëtar si dhe me shfaqjen e një dokumentari të shkurtër mbi rolin dhe kontributin e gruas shqiptare ndër shekuj, ku në rrethana të ndryshme kohore, dolën personalitete të shquara, veprat e të cilave tejkaluan kufijtë kombëtarë e botërorë, ku gruaja tregoi se ka të njëjtin potencial intelektual e profesional me gjininë tjetër, duke vijuar më pas me kumtesat: Roli dhe kontributi i gruas shqiptare nga Dr. Brikena Smajli, Pedagoge; Modeli i gruas ideale (myslimane shqiptare), Fatma Karaj, Përgjegjëse e Zyrës së Gruas – KMSH; Gjurmë qytetërimesh të ndryshme në veshjet popullore shqiptare nga Afërdita Onuzi, Etnografe.

Programi i cili u zhvillua në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u mbyll me një program artistik nga vajzat e Medresesë së Tiranës dhe një sfilatë me kostumet popullore shqiptare.   Në program ishin të pranishëm personalitete të shumtë të kulturës dhe artit. Për të pranishmit u shtrua edhe një koktej.

SHKARKO APP