Koalicione brenda koalicionit, Shehi: Presim të hartohet formula e qartë e zgjedhjeve. Do jem te Presidenti në orën 10:30

Vetëm disa muaj para zgjedhjeve parlamentare, partitë politike kanë nisur fushatat e tyre. Palët priten të mblidhen sërish për të hartuar formulën e hyrjes në zgjedhje.

Ndryshimet kushtetuese nuk janë pritur mirë në kampin opozitar të cilët i kanë cilësuar si të njëanshme. Kreu i LZHK, Dashamir Shehi shprehet se pavarësisht kësaj, opozita do të hyjë në zgjedhje me koalicion.

Në një intervistë për Ora News ai nuk ka mohuar dhe mundësinë e formimit të koalicioneve brenda koalicionit të madh opozitar por Shehi thotë se fillimisht duhet të qartësohet formula e hyrjes në zgjedhje.

Kjo fazë duhet mbyllur. Mirë apo keq ne ishim kundër pasi ishin ndryshime të pavlefshme dhe të pamoralshme. U mblodh kryeministri me disa yzmetqarë dhe bëri atë që bëri. Ato menduan që do ta provokonin opozitën për të mos hyrë në zgjedhje por ne do futemi edhe me kushte që nuk na pëlqejnë. Do bëjmë luftë në tryeza brenda kësaj situate. Do bëjmë luftë për të ruajtur koalicionet, për tu bërë deri në fund numërimi i votave. Të bëhet gjithçka e mundur që të vidhet sa më pak vota. Nuk është se janë hequr fare koalicionet. Unë besoj që do ruhen. Formula që përdoret brenda i dëmton një pjesë të partive. Kjo lloj formule, një grup i ri politik e ka të vështirë që të marrë vota në Gjirokastër apo në ndonjë vend tjetër.

Nëse do mbahen koalicionet. Ideja opozitare është që të gjithë forcat që duan të bashkohen kundër këtij regjimi të kenë mundësi të maksimalizojnë votën. Socialistët le ta bëjnë ligjin elektoral si të duan, në këtë moment nuk fitojnë. Ne do hyjmë në zgjedhje dhe do të fitojmë pavarësisht ndryshimeve. Kemi menduar që të bëjmë dhe koalicione brenda koalicioneve por kjo do të varet nga formula. Të flasim sot për hipoteza është e vështirë. Ne gjykojmë që të mbyllen këto punë të bëhen njëherë formulat që do hyjmë në zgjedhje”, tha Shehi.

Takimet për datën e zgjedhjeve

Ditën e nesërme (4 shtator) Presidenti Ilir Meta do të presë në takime krerët e partive politike ku do të zhvillohen konsultimet për caktimin e datës së zgjedhjeve. Ish-deputeti Dashamir Shehi e ka cilësuar të rëndësishëm dhe transparent këtë hap.

I ftuar në Ora News ai tha se e ka pranuar ftesën e Presidentit Meta dhe se do ta takojë në orën 10:30 të mëngjesit. Ndërkohë që për datën e zgjedhjeve ai është në një mendje me liderin e PD-së Lulzim Basha për zhvillimin e tyre më datë 18 prill 2021.

Është një hap transparence dhe i rëndësishëm. Është hera e parë që ndodh kjo. Unë vetë jam i ftuar në orën 10:30. Do jenë takime të shkurtra. Unë do të doja që të bëheshin sa më parë zgjedhjet. Dita e parë sipas kushtetutës që është bërë i bie që të jetë e diela e dytë ose e tretë e prillit që i bie data 18 ose 25. Presidenti ka idetë e veta dhe punët e veta kushtetuese. Unë do pranoja datën më të afërt. Partitë më të mëdha janë pas nesh”, tha Shehi.

Ftesën e Presidentit e ka pranuar dhe kryeministri Edi Rama, i cili do të takohet në orën 11:00 dhe do të jetë i shoqëruar dhe nga kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla.

Një orë më vonë, në 12:00, në Presidencë do të futet kreu i PD-së Lulzim Basha.

Data e mundshme e zgjedhjeve do të caktohet mes 15 prillit dhe  15 majit.

SHKARKO APP