Koçiu: 22 milionë euro investime për zhvillimin e Tushemishtit si destinacion turistik gjithëvjetor
Tushemishti, një nga destinacionet më të njohura turistike në zonën e Pogradecit, po shndërrohet në një model të turizmit që funksionon gjatë gjithë vitit, falë një pakete investimesh prej rreth 22 milionë eurosh, të cilat synojnë përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve përgjatë gjithë vijës liqenore.
Gjatë një vizite në zonë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu theksoi se këto investime po krijojnë një zhvillim të integruar që lidh Pogradecin me Tushemishtin, Drilonin dhe zonat përreth liqenit, duke formuar një kurorë të plotë turistike.
Sipas saj, rehabilitimi i shëtitoreve, ndërtimi i parkimeve, përmirësimi i rrugëve të aksesit, krijimi i korsive për biçikleta dhe hapësirave rekreative janë pjesë e një plani më të gjerë për modernizimin e zonës dhe rritjen e atraktivitetit të saj turistik. Qëllimi kryesor është zgjatja e sezonit turistik përtej muajve të verës dhe kthimi i zonës në një destinacion konkurrues në rajon.
Kryetari i Bashkisë së Pogradecit, Ilir Xhakolli, u shpreh se investimi realizohet në bashkëpunim me disa institucione dhe partnerë ndërkombëtarë, duke e cilësuar atë si një projekt të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të zonës dhe rritjen e turizmit.
Ndërkohë, drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli, sqaroi se projekti është konceptuar si një ndërhyrje e integruar, ku përfshihen shëtitorja, infrastruktura rrugore, parkimet dhe lidhjet me zonat turistike përreth.
Ai shtoi se paralelisht po zhvillohen edhe projekte të tjera për rehabilitimin e vijës liqenore dhe zgjerimin e investimeve në zonat përreth, me synimin për të krijuar një korridor të plotë turistik.
Sipas autoriteteve lokale, Pogradeci aktualisht pret rreth 450 mijë turistë në vit, ndërsa objektivi është që deri në vitin 2030 ky numër të kalojë mbi 1 milion vizitorë.
KOHA JONË SONDAZH

