Koçiu: Diagnostikim e trajtim për të gjitha foshnjat premature që mund të përballen me sfida të shikimit

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamje nga SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, teksa kujtoi ditën botërore të prematuritetit, e cila festohet në mbi 60 shtete të botës.

Ministrja Koçiu shkruan se falë bashkëpunimit me departamentin e Okulistikës në QSUT, do të sigurohet diagnostikimi dhe trajtimi për të gjitha foshnjat premature që mund të përballen me sfida të shikimit, krahas depistimit për dëgjimin apo audiometrinë.

“Sot, në SUOGJ “Koço Gliozheni”, festuam bashkë me heronjtë tanë të vegjël – bebet premature, që çdo ditë luftojnë me forcë dhe guxim për të jetuar”, tha Ministrja.

“Në mesin e gëzimit, festuam ditëlindjen e tretë të Jonit, një vogëlush që erdhi në jetë në javën 27-28 të shtatzënisë, me një peshë prej vetëm 1000 gramësh”, bën të ditur ministrja.

“Nënat e foshnjave që po trajtohen në Terapinë Intensive patën mundësinë të ndajnë përvojat dhe emocionet e tyre, duke i dhënë njëra-tjetrës forcë dhe shpresë”, sqaron Koçiu.

“Ndamë gjithashtu lajmin e mirë se, falë bashkëpunimit me departamentin e Okulistikës në QSUT, do të sigurojmë diagnostikimin dhe trajtimin për të gjitha foshnjat premature që mund të përballen me sfida të shikimit, krahas depistimit për dëgjimin apo audiometrinë Heronjve tanë të vegjël dhe familjeve të tyre, u urojmë një jetë të gjatë, të lumtur dhe të shëndetshme”, përfundon Koçiu

Po ashtu, ministrja ndau dhe historinë e dy vogëlushve prematurë që kaluan u trajtuan me sukses në SUOGJ “Koço Gliozheni”

Elida dhe Emirjanda janë dy nëna që kanë sjellë në jetë fëmijët e tyre përpara kohe, por që sot, falë përkushtimit të mjekëve dhe infermierëve, gëzojnë shëndet të plotë.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ndau sot pamje nga SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë ku lindën foshnjat.

“Sot jemi në ditën botërore të prematuritetit, 17 nëntori është një ditë e cila festohet në mbi 60 shtete të botës. Kjo ditë ka si synim sensibizimin e shoqërisë, politikëbërësve, të prindërve, punonjësve të shërbimit shëndetësor, sensibilizim të plotë dhe një përkushtim në shërbim të këtyre foshnjave”, u shpreh një prej mjekëve në SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”.

Mamaja e foshnjes Brajan Ndreu u shpreh se, “jemi në reanimacionin e fëmijëve tek SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”. Ne jemi shumë falënderues sot dhe Brajan gëzon shëndet të plotë falë Zotit dhe falë mjekëve dhe gjithë stafit përkatës. Brajan ka lindur në muajin e 7-të ose le të themi 29 javësh, ka lindur me peshën 900 gramë. Aktualisht jemi në fazën që Brajan duhet të shtojë në peshë dhe duhet të tregojmë shumë durim, përkushtim që Brajan të arrijë sa më shpejt në peshën e përcaktuar”.

Ajo falënderoi stafin e SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” që “ka një staf të përgatitur dhe të shkëlqyer”.

“Tani vetëm presim që të marrim Brajan dhe të shkojmë në shtëpi”, tha ajo.

Ndërsa mamaja e foshnjes tjetër Etinda Elezaj u shpreh se “kam lindur një prematurë 27 javëshe, 1 kile dhe jam shumë falënderuese ndaj mjekësisë dhe stafit këtu”.

Drejtoresha e SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë”, Eliona Demaliaj u shpreh se, “të lindurit para kohe ose prematurë është një problematikë e lidhur, jo vetëm me familjen, por edhe me sistemin shëndetësor apo shoqërinë. Sensibilizimi dhe njohja e kësaj dukurie është shumë e rëndësishme. Ne jemi krenarë me SUOGJ “Mbretëresha Geraldinë” për luftën e përditshme që bëhet nga mjekët  obstetër-gjinekologë dhe mjekët nenonatë pēr shpëtimin e çdo jete fëmije. Stafi i reanimacionit neonatal lufton çdo ditë për të shpëtuar jetë dhe për të dhënë shërbim sa më të mirë të porsalindurve.

Politikat shëndetësore të MSHMS në ndihmë të kësaj dukurie apo të problemeve të tjera të lidhura me prematuritetin, gjithashtu dhe investimet që po ndodhin në spitalin tonë na bëjnë shumë optimist që vitin tjetër do të kemi akoma më shumë rezultate në luftën tonë kundër prematuritetit apo lindjeve para kohe”, u shpreh Demaliaj.

SHKARKO APP