Koçiu: Fokusi i mburojës sociale, aftësim profesional dhe punësimi i kategorive në nevojë dhe PAK

Në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu zhvilloi një takim me përfitues të ndihmës ekonomike dhe aftësisë së kufizuar. Koçiu theksoi angazhimin e saj dhe të MSHMS për të mbështetur kategoritë në nevojë nëpërmjet politikave sociale që synojnë integrimin në shoqëri dhe punësimin e tyre.

Në fjalën e saj, ministrja u ndal te strategji e ndërmarrë nga qeveria shqiptare dhe MSHMS, jo vetëm për mbështetjen ekonomike ndaj familjeve në nevojë, por edhe për sfidën e madhe, atë të aftësimit profesional të tyre. “Programet e ndihmës ekonomike kanë një qasje të qartë dhe janë të orientuara nga dëshira për të integruar plotësisht të gjithë individët e saj. Këto programe tashmë bëjnë një dallim nga e shkuara”, nënvizoi Koçiu.

Ministrja u ndal edhe në dy histori suksesi të dy vajza të mbështetura më parë nga skema e ndihmës ekonomike dhe tashmë të punësuara. Koçiu shtoi se të dhënat zyrtare tregojnë se si asnjëherë më parë, në administratën publike, por edhe në sektorin privat, janë punësuar edhe individë me aftësi të kufizuara. “Kjo është një arritje që dua ta theksoj. Në administratën publike kemi përfaqësim shumë të lartë të grave dhe vajzave, por edhe të komuniteteve apo pakicave rome dhe egjiptiane”, u shpreh ajo.

Koçiu tha se “Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve këtë vit na gjen edhe me shifrën më të ulët të papunësisë, në historinë e shtetit shqiptar. Niveli i papunësisë prej 10.7% është më i ulëti që prej vitit 1992”. Strategjia Kombëtare e Mbrojtjes Sociale ka si qëllim kryesor mundësimin dhe krijimin e një mjedisi fuqizues për çdo individ në nevojë, duke garantuar një jetesë dinjitoze. “Kemi krijuar në total 120 mijë profile të individëve në moshë aktive pune, që janë pjesë e ndihmës ekonomike. Janë krijuar plane TIP, për mbështetje specifike, individuale të këtyre individëve, si dhe janë krijuar pothuajse 20 mijë skeda, profile nga Shërbimi Social Shtetëror. Rezultati i kësaj qasjeje është numri i punësimit që vjen në rritje”, theksoi ministrja Koçiu.

Ajo shtoi më tej se “ia kemi dalë me vështirësi të integrojmë në tregun e punës gjithnjë edhe më shumë qytetarë dhe çfarë është e rëndësishme, të reduktojmë në mënyrë të vazhdueshme numrin e qytetarëve, apo numrin e familjeve që janë përfituese të ndihmës ekonomike”. Në mbyllje të fjalës së saj, ministrja Koçiu apeloi për ndjekjen e trajnimeve profesionale si rruga e duhur për punësim.

“Duhet të jeni këmbëngulës për të krijuar një profil aftësimi për veten tuaj sepse vetëm kështu do të mund ta bëni familjen tuaj më të shëndoshë. Do të mund të jeni model frymëzues për fëmijët tuaj. Formimi profesional është rruga e duhur për rikthimin në tregun e punës dhe do të jeni në gjendje nesër që t’u jepni fëmijëve tuaj modelin e duhur të qytetarit të Shqipërisë Evropiane”, u shpreh ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

SHKARKO APP