Koçiu me studentë praktikantë: 80 % e pagës gjatë gjithë viteve të specializimit, mundësi për kredi me interes zero

Zv.kryeministrja Belinda Balluku dhe ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu kanë zhvilluar sot një bashkëbisedim me studentë të Mjekësisë dhe Infermierisë të cilët ushtrojnë praktikën e tyre në Spitalin Rajonal Memorial Fier. Në fjalën e saj, ministrja Koçiu tha se tashmë ka më shumë mundësi dhe oportunitete, ku ata mund të zgjedhin jo vetëm spitalin ku duan të punojnë, por edhe një sërë incentivash që të kontribuojnë në sektorin publik shëndetësor.

“Pagat një nga stimujt kryesorë për të zgjedhur një profesion, janë dyfishuar duke nisur nga viti 2013. Dhe sot kemi pagën e mjekut në 1600 euro, pagën e infermierit në 1200 euro, një incentivim i mirë financiar për të zgjedhur sektorin publik shëndetësor. Ndërkohë nga ana tjetër janë kushtet, infrastruktura spitalore dhe jo vetëm, edhe i qendrave shëndetësorë. Ne kemi investuar në 450 qendra shëndetësore për të përmirësuar infrastrukturën shëndetësore”, u shpreh Koçiu.

Ajo shtoi se është investuar shumë edhe në pajisje mjekësore të teknologjisë së lartë që i japin mundësi çdo profesionisti të shëndetësisë të diagnostikojë dhe t’i shërbejë pacientit ashtu siç duhet, por edhe të zhvillojë më së miri profesionin e tij. Më tej, ministrja e Shëndetësisë përmendi edhe një sërë incentivash të reja të cilat mbështesin mjekët dhe infermierët, një ndër to edhe programi për kredi me zero interes.

“Një nga programet më të fundit është ai kredisë me interes zero i cili dha mundësinë që të kishim 85 mjekë për të marrë banesën e tij të parë. Ndërkohë dhamë edhe 45 kuota të tjera për mjekët përfshirë edhe infermierët. Lajmi i mirë tjetër është që jemi duke përgatitur vendimin e radhës për të patur sërish kuota dedikuar mjekëve, infermierëve dhe profesionistëve të shëndetësisë për të marrë kredi me interes zero. Kemi dyfishuar bonusin për ata të rinj, të reja mjekë, profesionistë që zgjedhin të shërbejnë edhe në zonat rurale për të dhënë kontributin e tyre dhe për t’i shërbyer komunitetin”, nënvizoi Koçiu.

Duke iu drejtuar studentëve praktikantë, ministrja Koçiu foli dhe për specializimet e tyre në mjekësi. “Nëse zgjidhni të keni një kontratë me MSHMS, atëherë ju do keni mundësi që gjatë gjithë viteve të specializimit të paguheni me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm. Dhe për ata të rinj dhe të reja që zgjedhin specialitetin mjekësi urgjence apo mjekësi familjare, të cilat për ne janë degë prioritare, kemi dhënë mundësinë që të hyhet pa testimin e formalizuar dhe gjatë kohës që kryejnë specializimin, të paguhen me 100% të pagës së mjekut të përgjithshëm”, u shpreh ajo.

Në përfundim, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu foli edhe për reformën e rëndësishme të autonomisë spitalore e cila u jep mundësi spitaleve që të mos varen vetëm nga buxheti i qeverisë dhe MSHMS-së, por të vetadministrojnë dhe vetëmenaxhojnë buxhetet e tyre, stafet, shërbimet shëndetësore dhe pajisjet e nevojshme që të ofrojnë shërbime të specializuara.

SHKARKO APP